Villarreal ëndërron për 45 minuta, Liverpool përmbys gjithçka dhe shkon në finale

by admin
Spread the love

Përfundon në gjysmëfinale përralla e Villarrealit në këtë edicion të Champions League. Skuadra e Emery zhvillon një pjesë të parë spektakolare dhe bën me zemër Liverpool, pasi arrin të shënojë 2 herë në portën e anglezëve, duke baraspeshuar rezultatin e përgjithshëm.

Por, skuadra e Klopp zgjohet në pjesën e dytë dhe përmbys gjithçka, duke fituar 3-2 në “Estadio de la Ceramica”. Liverpool siguron një vend në finalen e madhe të Champions League, ndërsa Villarreali largohet me kokën lart nga ky turne. Pasi eliminoi më parë Juventusin dhe Bayernit, për 45 minuta spanjollët iu afruan mrekullisë, por më pas u dorëzuan përballë forcës dhe klasit të skuadrës së Klopp.

Villarreali zhvillon një pjesë të parë perfektë dhe arrin të rikuperojë disavantazhin e dy golave të pësuar në ndeshjen e parë në “Anfield” kundër Liverpool. Skuadra e Emery nis vrullshëm lojën dhe kalon që në minutën e 3-të në avantazh me Dia, që shfrytëzon si duhet një asist të Capoue.

Anglezët mundohen të reagojnë, por nuk shfaqen asnjëherë rrezikshëm në portën e vendasve. Villarreali pretendon një penallti për një faull në zonë të Alisson në dëm të Lo Celso por për gjyqtarin nuk ka 11-metërsh. Pak minuta para se të përfundojë pjesa e parë spanjollët shënojnë edhe golin e dytë, kësaj radhe me Coquelin, që dërgon me kokë në rrjetë një top të dhënë nga Capoue.

Klopp hedh në fushë Luis Diaz dhe sulmi i anglezëve funksionon më mirë në pjesën e dytë. Liverpool ka një tjetër qasje dhe i afrohet golit me Alexander Arnold, por topi ndalet në traversë. Miqtë dominojnë dhe gjejnë rrugën e rrjetës me Fabinho. Pak minuta më vonë Luis Diaz barazon shifrat dhe tashmë është mbyllur çështja kualifikim.

Villarreali është shuar dhe tashmë Liverpool është zot i fushës. Mane përfiton nga një gabim i portierit Rulli dhe përmbys gjithçka, duke shënuar edhe golin e tretë për “të kuqtë”. Duket se goli i ka prerë spanjollët, që nuk arrijnë dot të futen më në lojë.

Mbyllet 3-2 për Liverpool, një sfidë me dy tablo. Vendasit dominojnë pjesën e parë, por miqtë zgjohen në të dytën dhe me meritë shkojnë në finalen e madhe të këtij sezoni të Champions League. / Oversport.tv

Foto: Liverpool FC Twitter

Champions League-Gjysmëfinale / Ndeshja e kthimit

Villarreal- Liverpool 2-3

Dia 3’, Coquelin 41’ / Fabinho 62’, Luis Diaz 67’, Mane 74’

You may also like