(VIDEO) “Viti i Drejtshkrimit” në Shkup, promovohet libri “Propozime për drejtshkrimin”

by admin
Spread the love

Me rastin e Ditës së Mësuesit-7 Marsin, datë kjo që përkoi me 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve organizoi shënimin e “Vitit të Drejtshkrimit”, duke i promovuar dy vëllimet e sapobotuara “Propozime për drejtshkrimin”.

Autori i librit, profesor doktor Rami Memushaj, gjatë promovimit, tha se ky botim  është përfundimi i një projekti të nisur pesë vjet më parë. Memushaj theksoi rëndësinë e drejtshkrimit në gjuhën shqipe  dhe porositi që të përcillet brez pas brezi tradita e drejtshkrimit.

 Rami Memushaj, profesor doktor

“Unë ndjehem shumë i lumtur që këtu në Maqedoninë e Veriut, në krye të këtyre institucioneve të Institutit të Trashëgimisë dhe të Agjencisë së Zbatimit të Ligjit për Shqipen, janë dy djem të gjallë, të guximshëm dhe atdhetarë, sepse  sot lufta bëhet me pendë dhe nuk bëhet me pushkë, dhe shpresojë që të vazhdojmë kështu të kemi edhe projekte të tjera”

Redaktori i kësaj vepre, profesor doktor, Xhevat Lloshi foli për Kongresin e Drejtshkrimit, duke thënë se 50 vjet nuk janë shumë për historinë dhe kulturën e një populli, por njëkohësisht nuk mund të mohohet se shumë gjëra kanë ndryshuar. Sipas tij, të gjithë ne e kemi për detyrë që mos ta devijojmë gjuhën shqipe.

 Xhevat Lloshi, pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit

“Për herë të parë në historinë e shqipes së shkruar është përdorur një variant standard gjatë gjysmë shekulli. Kjo është shfaqje e qëndrueshëmërisë e zgjedhjeve të miratuara dhe mbështet bindjen se kjo qëndrueshmëri ka një të ardhme të sigurt përpara”

Drejtori i Institutit, Skender Asani  tha se kodi i gjuhës është ADN-ja e një kombi dhe se shqiptarët rrugëtimin e tyre natyrorë e sublimuan në Kongresin e  Drejtshkrimit.

Skender Asani, drejtori i Institutit

“Jo rastësisht në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit u unifikua gjuha shqipe, gjuha standarde që i hapi rrugë bashkimit të shqiptarëve, dhe jo rastësisht pas shumë dekadave u bë Kosova e pavarur, Maqedonia u bë shtet ku shqiptarët  në mënyrë konkrete e zyrtarizuan gjuhë e tyre shqipe dhe formuan edhe Agjencinë e gjuhës, siç nuk e ka as Shqipëria dhe as Kosova”

Zeqirija Ibrahimi, hulumtues shkencor në Institut, nënvizoi se janë të përkushtuar që të mos rrezikohet elementi i cili e bashkon kombin shqiptar, jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë.

Zeqirija Ibrahimi, hulumtues shkencor 

“Jemi veçanërisht të lumtur që ky aktivitet dhe ky libër po bëhen në Shkup, për shkak se gjatë kohë ka ekzistuar një përceptim se Shkupi është një periferi shqiptare, një periferi e parëndësishme shqiptare dhe në Shkup nuk ka mundësi të vijnë gjëra që e begatojnë kombin tonë”

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve  do të organizojë  ngjarje dhe aktivitete në qendrat e tyre albanologjike, si shprehje e vullnetit dhe aspiratës për një integrim më të madh brendakombëtar.

Linda Ebibi /SHENJA/

 

 

You may also like