(VIDEO) Spasovski: Uniformat në dy gjuhë vetëm në nivel lokal

by admin
Spread the love

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski,  tha se tek uniformat e njësitit ‘Tigrat’ nuk do të aplikohet gjuha shqipe. Ai sqaroi se me Dekretin e miratuar në Qeveri, nuk do të ndryshojnë uniformat për njësitet që veprojnë në nivel republikan, ashtu siç është rasti i Tigrave. Uniformat dygjuhësore do të kenë vetëm policët që punojnë në zonat e qyteteve apo komunave, ku 20 për qind e popullsisë kanë gjuhë zyrtare gjuhën shqipe, ose ndonjë gjuhë tjetër.

Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm

 “Bëhet fjalë në nivel lokal, pra për emblemat e uniformave në  nivel lokal në qytetat ku gjuhë zyrtare është gjuha shqipe. Ndërsa, në shërbimet qendrore të cilat janë të shtrira në tërë shtetin, nuk ka asnjë ndryshim në pjesën e uniformave, njëjtë edhe në Njësitin e Tigrave”

Ministri gjithashtu sqaroi se afati kohor prej një viti për realizimin e unifromave,  është për shkak që ka disa procedura të cilat duhet realizuar .

Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm 

“Ka procedura për harxhimin e mjeteve financiare. Nuk mund të hyhet në market dhe të blihet diçka menjëherë, por duhet të zhvillohen procedura, tender, furnizime publike, dhe për këtë shkak mbetet kjo periudhë , që të kemi mundësi të përgatitemi dhe më pas t’i aktivizojmë”.

Spasovski nuk tregoi se sa do të kushtojë i gjithë procesi për uniformat në dy gjuhë, ndërsa i pyetur se nëse ishte urgjent, kur vendi ynë është në krizë ekonomike dhe politike, të realizohet e njëjta, ai tha se dekreti i miratuar është si rezultat i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, dhe  duhet zbatuar ashtu siç e parashikon Ligji.

Linda Ebibi /SHENJA/

 

You may also like