(VIDEO) Sela: Kapësit e gjyqësorit kanë emër dhe mbiemër

by admin
Spread the love

Në Maqedoninë e Veriut ndarja e pushteteve nuk vlen në parim dhe gjyqësori këtu është i kapur sidomos nga BDI. Kështu deklaroi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Sipas tij, nga gjykatat themelore e deri tek Gjykata Supreme sipas Selës, BDI ka njerëzit e vet. Në secilin institucion gjyqësor, thotë Sela mjafton një thirrje nga Reçica e Vogël  që të ndalen apo sabotohen ndjekjet penale saherë që preket interesi i BDI-së.

Ziadin Sela, kryetar i ASH-së  

“Gjykata Supreme është gjykata më e lartë në vend dhe ka për mision sigurimin e unitetit në zbatimin e ligjeve nga ana e gjykatave. Aty BDI ka vendosur Shpend Devajën, burrin e  Teuta Arifit, nënkryetare e BDI-së dhe ish kryetare e Tetovës, e larguar nga tetovarët në zgjedhjet e fundit lokale pas shumë aferave korruptive”.

Jo më pak njerëz të BDI-së sipas Ziadin Selës, ka edhe në prokurori, ministri të Drejtësisë, Avokati i Popullit, Akademia e Gjykatësve dhe Prokurorëve e kështu me radhë.

Ziadin Sela, kryetar i ASH-së 

“Prokuroria Publika e RMV-së është përgjegjëse për tërë territorin e vendit dhe procedon para Gjykatës Supreme. Antarët e saj përbëjnë Këshillin e Prokurorëve Publik. Tre nga katër prokurorët publik shqiptarë janë njerëz të BDI-së: Ismail Darshishta, ish ministër i Drejtësisë, Xhelal Bajrami, ministër për Punë Politike dhe Sociale dhe ish zëvendës ministër për Punë të Brendshme në kohën kur u montua rasti Monstra, që u bë prokuror publik pa asnjë ditë përvoje pune në gjyqësor, Bashkim Besimi, djali i axhës së Fatmir Besimit”.

Ai e shprehu nevojën e një vetingu, për të cilin proces BDI tha se ka bërë propagandë boshe dhe kujtoi kohën kur Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi bënë një veting të brendshëm të funksionarëve të tyre. Po ashtu kujtoi edhe deklaratën e ish kryeministrit Zoran Zaev, për vetingun , ku sipas tij nëse bëhet veting mbetemi pa gjykatës.

Sela tha se nevojën e vetingut e kanë diskutuar edhe me përfaqësues të ambasadave të huaja në vend.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

 

 

You may also like