(VIDEO) Protestoi administrata gjyqësore, kërkon rritje të pagave për 78%

by admin
Spread the love

Të punësuarit në Administratën e Gjyqësorit kanë protestuar edhe sot. Ata kërkojnë rritje të pagës për 78 për qind  dhe pagesën e shtesave të pagave prej 35 për qind. Në shenjë revolte ata kanë bllokuar udhëkryqin tek Mavrovasja.  Ata gjithashtu kërkojnë që Qeveria të përfshihet në grupin e punës për rritjen e pagave. Me pankarta me mbishkrime “Pagat evropiane për ju dhe për ne”, rreth njëqind punonjës të administratës gjyqësore dhe anëtarë të Sindikatës së Pavarur të Administratës së Gjykatave së bashku me Sindikatat e Policisë së Burgjeve dhe Konfederatës së Sindikatave të Lira – Organizata sindikale- në Gjykatën Themelore Penale, sot dolën në protestë para Qeverisë dhe Ministrisë së Financave dhe të Drejtësisë në Shkup për të shprehur pakënaqësinë e tyre për shkak të pagave të ulëta dhe mosmarrjes së shtesave në pagë.

Nga  Sindikata e Pavarur e Administratës Gjyqësore informojnë se gjatë ditës së sotme përfaqësuesit tyre kanë pasur një takim me përfaqësues të Ministrisë së Financave, por siç njoftojnë ata, nuk kanë gjetur mirëkuptim dhe për këtë ata theksojnë  se aktivitetet e tyre si sindikatë do të vazhdojnë.

Jasmina Veliçkova, kryetare e komisionit të grevës për Gjykatën Themelore Penale dhe kryetare e Administratës Gjyqësore të Maqedonisë, tha se në mbledhjen e sotme u është thënë se nuk është planifikuar rritje e pagave dhe shtesave për ta.

JASMINA VELIÇKOVA, KRYETARE E KOMISIONIT TË GREVËS PËR GJYKATËN THEMELORE PENALE

“Në këtë kontekst, vërejmë se në shërbimin gjyqësor nuk ka rritje të pagave në pesë vitet e fundit dhe jemi në kushte të rritjes së kostove të jetesës dhe rritjes së pagave për personat e zgjedhur dhe të emëruar, pra gjyqtarët, me një diferencë të madhe në pagat në drejtësi mes gjyqtarëve dhe shërbimit gjyqësor që ka një efekt demotivues tek ne”

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës Shtetërore, Goran Risteski, tha se vendimi për grevë është marrë pas dy takimeve të djeshme në Gjykatën Themelore Civile dhe në Gjykatën Themelore Penale, dhe siç thotë Risteski, mendimi i tyre nuk është dëgjuar nga autoritetet.

GORAN RISTESKI, KRYETAR I SINDIKATËS SË PAVARUR TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE

“Në periudhën e kaluar kemi pasur disa negociata vetëm me Këshillin Gjyqësor të Maqedonisë. Ministria e Drejtësisë bëri veshin e shurdhër ndaj kërkesave tona për pranim, nuk na respekton, ashtu si Ministria e Financave. E kemi informuar edhe kryetarin e Qeverisë se është e nevojshme të mbahet një mbledhje ku do të theksojmë problemet që po ndodhin në gjyqësor në pjesën e sistemit të burgjeve”.

Ndërkaq, përderisa administratorët janë në grevë, gjyqësori do të punojë vetëm për raste urgjente, siç janë, raste me të huajt, dhe me lëndët e  burgjeve.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING



You may also like