SHBA – DASH: Njësi luftarake izraelite kanë shkelur të drejtat e njeriut

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 30 prill /ATSH-DPA/ – Qeveria amerikane konfirmoi se ka identifikuar shkelje të rënda të të drejtave të njeriut nga pesë njësi ushtarake izraelite përpara fillimit të luftës së Gazës, më 7 tetor.

“Ne gjetëm pesë njësi izraelite përgjegjëse për incidente individuale të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut. Të gjitha këto ishin incidente shumë përpara 7 tetorit dhe asnjë nuk ndodhi në Gaza”, tha zëvendëszëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Vedant Patel në përgjigje të një pyetjeje në Uashington.

Lidhur me batalionin e pestë, qeveria izraelite kishte ndarë informacione shtesë me SHBA-në dhe të dy qeveritë janë ende duke biseduar për të.

Raportet e medias sugjerojnë se hetimi në vazhdim ka të ngjarë të jetë në batalionin e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit “Netzah Yehuda”.

Patel nuk tha se çfarë lloj shkeljesh të të drejtave të njeriut ishin përfshirë.

”Megjithatë, ato nuk u zhvilluan në Rripin e Gazës”, tha zëdhënësi.

Javën e kaluar, transmetuesi amerikan ABC News raportoi se SHBA kishte braktisur planet për të sanksionuar njësitë ushtarake izraelite për veprimet e tyre kundër civilëve në Bregun Perëndimor.

Sipas raportit, Izraeli kishte premtuar se do të merrte masa për të korrigjuar abuzimet, njoftoi transmetuesi, duke cituar një letër nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken drejtuar Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Mike Johnson.

Patel nuk tha nëse sanksionet ishin ende duke u shqyrtuar.

Megjithatë, ai theksoi se kufizimet për ndihmën e SHBA-së janë përgjithësisht të mundshme nëse kërkesat e SHBA nuk përmbushen.

Më 8 shkurt, presidenti amerikan Joe Biden kërkoi garanci me shkrim nga qeveritë e huaja se asnjë e drejtë e njeriut nuk do të shkelej me ndihmën ushtarake nga SHBA.

Departamenti Amerikan i Shtetit duhet të informojë Kongresin për procesin në një raport,  afati i fundit për këtë është 8 maji.

Vendet, ndihma amerikane e të cilave është autorizuar nga Kongresi dhe që aktualisht janë të përfshira në një konflikt të armatosur, duke përfshirë Izraelin, janë të prekura.

Nëse garancitë nuk jepen brenda një afati të caktuar, mbështetja ushtarake duhet të ndërpritet.

CNN raportoi në fundjavë, duke cituar një përfaqësues të qeverisë amerikane, se kishte mosmarrëveshje në Departamentin e Shtetit të SHBA nëse garancitë e Izraelit në këtë drejtim duhet të pranohen si të besueshme./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like