(VIDEO) Propozimi francez në Kuvend, të hënën vendoset data e seancës

by admin
Spread the love




Data e seancës ku do të diskutohet propozimi francez do të vendoset të hënën në koordinimin e rregullt në Kuvend. Kryeparlamentari Talat Xhaferi sqaron se në këtë koordinim do të marr pjesë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, si përfaqësues i qeverisë.

TALAT XHAFERI, KRYETAR I KUVENDIT
“Të hënën kemi një koordinim, ku do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i qeverisë dhe do të diskutojmë. Do të bëhet një vlerësim. Materiali ka ardhur në Kuvend, por seanca për ribalancin e buxhetit duhet të fillojë të hënën”.

Në Kuvend aktualisht është caktuar seanca për rishikimin e buxhetit, e cila sipas rregullores duhet të zgjasë më së shumti 5 ditë, por Xhaferi sqaron se nëse ka nevojë do të ndërpritet dhe do të caktohet seancë e re në të cilën në rend dite do të ishte Informacioni i dërguar nga Qeveria.

Por nga opozita kërkojnë që Kuvendi t’ua dërgojë të gjitha dokumentet që kanë lidhje me përmbajtjen e propozimit francez, para se të caktohet seanca plenare. Grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së përmes një shkrese kërkon nga kryeparlamentari që t’ua dërgojë edhe Protokollin e dakorduar mes ministrive të jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, i cili akoma nuk është bërë publik.

VMRO DPMNE
“Si grup parlamentar kërkojmë nga Ju, nëse Qeveria i ka dorëzuar këto materiale në Kuvend atëherë të na shpërndahen neve deputetëve. Nëse nuk janë dorëzuar në Kuvend atëherë ky propozim të kthehet në Qeveri dhe të kërkohen të gjitha dokumentet bashkë me Informacionin”.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut tashmë disa ditë premton se Protokolli maqedono-bullgar do të publikohet së shpejti. Ata gjithashtu këmbëngulin se Protokolli nuk duhet të jetë pjesë e debatit lidhur me propozimin francez. /SHENJA/

 


You may also like