I akuzuari për kanosjen e Mimoza Kusari-Lilës arrin marrëveshje për pranim të fajësisë, kjo e fundit e quan shqetësuese – Shqip

by admin
Spread the love

Me të filluar procesi gjyqësorë ndaj të akuzuarit Emin Lati, gjykatësi i rastit Driton Berisha njoftoi se tashmë i akuzuari Lati ka arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë për kanosjen e deputetes, Mimoza Kusari-Lila.

Por, arritja e kësaj marrëveshje për pranim të fajësisë e ka shqetësuar të dëmtaren Kusari-Lila.

“… në ditët javët dhe muajt kur vajzat dhe gratë sulmohen,.. me të vërtet shqetësuese mbi të gjitha edhe për arritje e marrëveshjes së prokurorisë deri të prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë pa e pas asnjë përpjekje të të pandehurit ose palës mbrojtëse për të komunikuar lidhur me veprën e konsumuar”, deklaroi Kusari-Lila, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, prokurorja Rukije Shashivari deklaroi se i akuzuari Lati ka pranuar veprën penale të “Kanosjes”, ndërsa ka shtuar se prokuroria ka hequr dorë për veprën tjetër penale, atë të “Nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.

Po ashtu prokurorja Shashivari tha se për veprën penale “Kansoje” dënimi rekomanduar është 120 ditë burgim, por se i njëjti mund të shndërrohet në atë me gjobë nga 300 deri në 600 euro, varësisht se si do ta vlerësojë gjykata.

Më pas përfaqësuesi i të dëmtuarës Mimoza Kusari-Lila, avokati Driton Musliu tha se prokuroria nuk ka njoftuar palë e dëmtuar lidhur me hyrjen në procesin e lidhjes së marrëveshje për pranim të fajësisë, e që sipas tij kjo parashihet me dispozita ligjore.

Sipas tij, pikërisht vepra penale e “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” është konsumuar e për të cilën ka heq dorë prokuroria.

Kurse, e dëmtuari Kusari-Lila ndër të tjera tha se nga i akuzuari Lati nuk e ka ndjerë asnjë moment reflektimin lidhur me veprën penale që e ka konsumuar dhe se sipas saj, pikërisht gjuha e përdorur ka pas qëllim nxitje të urrejtjes dhe sulmin eventual fizik ndaj saj.

Më pas mbrojtësi i të akuzuarit Latit, avokati Agon Rrecaj tha se marrëveshja për pranim të fajësisë është lidhur konform dispozitave ligjore dhe se si e tillë duhet të pranohet nga gjykata.

Ndërkaq, lidhur me pretendimin e avokatit Musliu, avokati Rrecaj tha se si të tilla janë të paqëndrueshme dhe nuk kanë mbështetje ligjore, duke shtuar se Kodi i Procedurës ka saktësuar çartë të drejtat e palës së dëmtuar.

Më pas i akuzuari Lati tha se deklarimet e tija në televizionin “T7”, i ka dhënë pasi që është ndjerë i shqetësuar nga deklarimet e Kusari-Lilës, duke shtuar se për deklarimet dhëna ndjen keqardhje.

Në fund, gjykatësi Berisha aprovoi marrëveshje e lidhur mes prokurorisë dhe të akuzuarit Lati.

Emin Lati ngarkohet me dy vepra penale, për “Kanosje” dhe për “Nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Lati akuzohet se në emisionin “Frontal”, në “T7”, në korrik të 2023-ës, ka kanosur Kusari-Lilen, e cila është edhe shefe e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

Sipas aktakuzës, në emisionin televiziv kishte thënë se: “Jena ligë na veteranët se atë duhet me e ngreh zhag nëpër asfalt derisa të ja qesim eshtrat në tokë”.

Veç kësaj, Lati akuzohet edhe se ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje ndaj deputetes Kusari-Lila në mënyrë që të prishë rendin publik.

Aktakuza ndaj Latit është ngritur më 11 janar 2024 nga prokurorja Rukije Sheshivari.

Në Polici, Lati kishte thënë se ka deklarimet në emisionin Frontal i ka pasur emocionale. Ai ka thënë se ishte ndier i ofenduar dhe keq emocionalisht kur kishte dëgjuar përgjimet e Mimoza Kusari-Lilës me një deputet serb që ka folur për heqjen e veteranëve nga ligji për pagën minimale.

Kusari-Lila kishte ushtuar kallëzim penal ndaj Latit, duke deklaruar para organeve të hetuesisë se qenë periudhë sfiduese për sigurinë e saj dhe të familjes së saj pas deklaratave të Latit.

“Deklaratat e tilla po që ka ndjellë dhunë, ka bërë thirrje për cenimin e integritetit tim fizik, dhe si e tillë jam e bindur se duhet të sanksionohet me të gjitha masat ligjore në mënyrë që si praktikë të mos persëritet ndaj askujt…”, kishte deklaruar Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka deklaruar se ndjehet e kërcënuar dhe e abuzuar nga deklaratat publike të Latit.

You may also like