(VIDEO) Osmani: Nuk e kam ditur se “Eurovia” është donatore e BDI-së

by admin
Spread the love

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani thotë se nuk e ka ditur që kompania “Eurovia”, që e ka fituar tenderin për konferencën e OSBE-së në Shkup, është donatore e BDI-së. Madje ai tha se këtë e ka kuptuar nga mediumet, por shton se kjo nuk i ka ardhur mirë.

Megjithatë, shprehet se nuk mund të përzgjedhin kompani tjetër, për shkak se procedura ligjore kërkon që të zgjidhet oferta më e lirë, prandaj ata e kanë zgjedhur këtë kompani.

Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme

“Procedura është skajshmërisht transparente, Ministria nuk ka asnjë mundësi të reagoj dhe ta anuloj tenderin. Kjo është ngjarja më e rëndësishme në karrierën time dhe asnjëherë nuk do të lejoja që të lihet njollë në të. Shërbimeve ju kam thënë që menjëherë ta dërgojnë gjithë dokumentacionit tek Komisioni për Antikorrupsion dhe tek Prokuroria. Edhe ju po të ishit në vendin tim, nuk do të kishit zgjidhje tjetër, do ta bënit atë zgjidhje, përndryshe do të jepnit përgjegjësi”.

Ndëkaq, zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së Marija Miteva, thotë se kompania “Eurovia”, që është në pronësi të një ish funksionari të BDI-së, ka fituar edhe shumë tender tjerë shtetëror, në vitet e fundit ka shënuar rritje të fitimit për 100%.

Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së

“Eurovia pikërisht nga viti 2017 deri sot, ka përjetuar ekspanzionin e vërtetë të të ardhurave të kompanisë. Nëse shihen të dhënat e rritjes së të ardhurave, vërtetohet se për vetëm një vit, nga viti 2021 deri në vitin 2022 ka pasur rritje prej mbi 100%, gjegjësisht të ardhurat në vitin 2021 janë 7.4 milion euro, kurse një vit më vonë afër 15 milion euro”.

Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit një ditë më parë bëri me dije se do të hapë lëndë në lidhje me kompaninë “Eurovia”. Kjo kompani fitoi tender prej 1,8 milionë euro për të ripërshtatur sallën ‘Boris Trajkovski’ për takimin ministror të OSBE-së në nëntor dhe dhjetor.

Kompania nga Zhelina që e ka fituar tederin është në pronësi të Elmedin Ademit, nip i ish ministrit të BDI-së Abdylaqim Ademit. Pronari Ademi vjet BDI-së si person fizik i ka donuar mbi 2 milion denarë, kurse kompania “Eurovia”, ka donuar mbi 1.8 milion denarë.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING




You may also like