(VIDEO) Osmani-Kuleba: Rusia t’u kthehet parimeve të OSBE-së, të papranueshme vuajtjet e civilëve!

by admin
Spread the love




Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij në Ukrainë u takua  me Ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dimytro Kuleba. Osmani dënoi ashpër agresionin e vazhdueshëm rus ndaj Ukrainës. Ai theksoi se sulmet ndaj objektivave civile nuk kanë asnjë justifikim. Osmani po ashtu  dënoi fuqishëm sulmin e fundit në Dnipro, ku pati edhe viktima civile dhe fëmijë të plagosur. Ai  i bëri thirrje Federatës Ruse që ta ndalojë luftën dhe t’i përkushtohet sërish parimeve të OSBE-së dhe të hap rrugën që përmes kanaleve diplomatike të zgjidhen të gjitha sfidat.

BUJAR OSMANI-MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME

“Kjo nuk është hera e parë që e vizitoj Ukrainën që nga fillimi i agresionit. Shpresoja që agresioni dhe vuajtjet do të ndaleshin përpara vizitës sime në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së. Çdo dëshmi e re e shtëpive dhe fateve njerëzore të shkatërruara shkakton shqetësim. Duke qëndruar këtu si Kryesues i OSBE-së, i bëj thirrje Federatës Ruse që ta ndalojë këtë luftë, t’i tërheqë trupat e saj nga Ukraina, t’i përkushtohet parimeve dhe vlerave të OSBE-së dhe t’i kthehet sërish diplomacisë”.

Duke bërë thirrje për llogaridhënie për të gjitha krimet e kryera nga ana e Rusisë, Osmani theksoi se fokusi dhe prioriteti kryesor i Organizatës këtë vit do të jetë Ukraina.

BUJAR OSMANI-MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME

“Zyra e Komesarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka dokumentuar mbi 18,000 viktima që nga fillimi i agresionit. Numri aktual i njerëzve të vrarë ose të plagosur sigurisht është edhe më i lartë.  Përveç kësaj, UNHCR regjistroi pothuajse tetë milionë refugjatë ukrainas në të gjithë Evropën. Pothuajse pesë milionë janë të zhvendosur brenda vendit. Këto shifra janë tronditëse”.

Bujar Osmani tha se  OSBE-ja do t’i ofrojë mjetet e saja për ta ndihmuar Ukrainën të rikuperohet nga dëmet e kësaj lufte. Sipas tij, Maqedonia e Veriut, në krye të Organizatës, do të shërbejë si gardian i parimeve të dakorduara të OSBE-së.

Samir Mustafa /SHENJA/


You may also like