(VIDEO) “Organizatorët e 27 Prillit” përplasin Gjykatën Penale me Gjykatën e Apelit

by admin
Spread the love

Gjykata Penale ka kritikuar punën e Gjykatës së Apelit, pasi që disa lëndë gjyqësore kundër funksionarëve të lartë janë vjetruar ose janë kthyer në rigjykim. Gjykata e shkallës së parë, i fton mediat dhe opinionin profesional që të analizojnë se ku dhe për cilat “shkelje thelbësore” lëndët me vjet presin që të jenë të plotfuqishme dhe vjetrohen, ndërkaq qytetarët e humbin besimin në gjyqësor.

Reagimi vjen pasi  dje Apeli i ka pranuar ankesat e të akuzuarve dhe të dënuarve në shkallë të parë për organizimin e ngjarjeve të dhunshme në Kuvend të RMV-së më 27 prill të vitit 2017-të. Gjegjësisht Apeli ua shfuqizoi dënimet me burg prej gjithsej 25 vjet ish funksionarëve, Trajko Veljanoski, Spiro Ristovski, Mile Janakieski dhe Vlladimir Atanasovski, ndërkaq lëndën e ktheu në rigjykim.

GJYKATA PENALE

“Gjykata e Apelit mundet shpejt dhe sipas meritave të vendos për ankesat e personave të akuzuar, edhe pse lënda ndodhet një vit në duart e tyre. Nëse arsyeja për shfuqizimin e aktgjykimit është teknike, gjegjësisht zbatimit të Ligjit për Amnisti, atëherë gjykata mundet menjëherë të vendosë”.

Nga Gjykata Penale thonë  se me kthimin e rastit nga e para bëhet shpenzime shtesë, zvarritje dhe rrezikim i të drejtës për gjykim në afat të arsyeshëm. Ndërkaq, Gjykata e Apelit i është përgjigjur Gjykatës Penale lidhur me rikthimin e çështjes “Organizatorët e 27 Prillit” për lëshime. Apeli konsideron se gjykatat nuk duhet të fajësojnë njëra-tjetrën dhe se i takon Apelit t’i japë udhëzime gjykatës së shkallës së parë dhe jo anasjelltas.

GJYKATA E APELIT

Qëndrimi i Gjykatës Penale është i tyre. Por kundër vendimit të Apelit – nuk ka asgjë për të shprehur qëndrim. Gjykatat nuk mund të komunikojnë në atë mënyrë, për t’ia hedhur fajin  njëra-tjetrës. Sipas ligjit, apeli ka kompetencë të nxjerrë aktgjykim, gjegjësisht vendim, të anulojë aktgjykimin, të japë udhëzime e të arsyetojë”.

Më 26 korrik të vitit 2021, Gjykata Penale e Shkupit i ka shpallur fajtorë të akuzuarit në rastin “Organizatorët e 27 prillit” dhe i ka dënuar me gjithsej 25 vjet burg. Medina Ajeti /SHENJA/

You may also like