(VIDEO) Nga siguria tek energjia, nënshkruhen 21 marrëveshje ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Qeveria e Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut kanë nënshkruar 21 marrëveshje, duke nisur nga marrëveshjet për fushën e sigurisë dhe diplomacisë, deri tek memorandumi në sektorin e energjisë dhe pikat e përbashkëta kufitare. Kjo mbledhje i ka shërbyer dy vendeve për të rritur bashkëpunimin e dyanshëm si dhe ka kontribuuar në rritjen e bashkëpunimit ndër-rajonal.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama në konferencën për media ka paralajmëruar ndërtimin e rrugës lidhëse mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Qafë Thanë, kalimin e ri kufitar Strugë-Pogradec dhe Portin e thatë në Strugë.

EDI RAMA , KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË

Kemi pasur një mbledhje produktive, kemi finalizuar 21 akte të dakordsuara në një proces ndërveprimi intensiv si pjesë tani më organike e punës së qeverive tona që janë në ndërveprim të vazhdueshëm me njëra tjetrën, njëkohësisht kemi dakordsuar edhe 3 nisma të propozuara nga zv.kryeministri i parë Artan Grubi, që kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me ndërtimin e infrastrukturës së Koridorit 8, ndërtimin e një porti të thatë në Strugë dhe hapjen e vendkalimit të ri kufitar Strugë-Pogradec dhe të 3 këto me një rëndësi të madhe strategjike”

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski foli për memorandumet e nënshkruara në seancën e sotme mes qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, për lidhjen energjetike dhe rrugore, por edhe për kthimin e ikonave të hequra ilegalisht, të cilat janë trashëgimi kulturore.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTRI I MAQEDONISË SË VERIUT

“Ajo që dua të veçoj ndër të tjerat që bëmë sot, që është një tjetër dëshmi konkrete e bashkëpunimit tonë të mirë dhe zhvillimit të besimit të ndërsjellë, është marrëveshja për kthimin e ikonave të eksportuara ilegalisht nga vendi ynë, në vitin 2013. Për këto ikona, të cilat janë fryt i traditës së pasur vendase të ikonografisë nga shekulli XIX dhe janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore kombëtare, pas përfundimit të procedimit penal të drejtuar nga autoritetet gjyqësore në Tiranë, nëpërmjet Marrëveshjes së sotme, do të nisë një procedurë për kthim fizik në këtë vend”.

Ndër Marrëveshjet që u nënshkruan janë: Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë për formimin e ekipeve të përbashkëta të punës në sferën e sigurisë, protokoll ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Qafë-Thanë, Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për vendosjen e transportit ndërshtetëror ndërmjet Liqenit të Ohrit, etj.

Kryeministrat Kovacevski dhe Rama u pajtuan se marrëdhëniet e mira dypalëshe mes dy vendeve janë të një rëndësie të madhe për zhvillimin ekonomik, si dhe për thellimin e bashkëpunimit mes afaristëve nga të dyja vendet. Rritja e marrëdhënieve të mira, lidhja e popujve, forcimi i infrastrukturës mes dy vendeve është me rëndësi të madhe për përparimin e mëtejshëm, u theksua në takim.

Medina Ajeti /SHENJA/ 

 

You may also like