(VIDEO) Ministrja e punës dhe politikës sociale thotë se brenda muajit do të ketë propozim konkret për rritjen e pensioneve

by admin
Spread the love

Deri në fund të këtij muaji priten propozime konkrete për rritjen e pensioneve, të cilat do të jenë me fokus për pensionistët me të ardhura të ulëta mujore. Kështu tha sot ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, e cila theksoi se grupi punues takohet në vazhdimësi dhe për momentin janë duke u shqyrtuar të gjitha mundësit për këtë çështje, ndërsa për të martën është paralajmëruar një takim i ri.

 Jovanka Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale

“Grupi punues funksionon në vazhdimësi, takohen dhe mbajnë takime ku diskutohen masat fillestare që ne si Qeveri duhet t’i parashikojmë për pensionistët, me fokus të veçantë për pensionistët me pensione më të ulëta. Mbledhja e grupit të punës është caktuar sërish për nesër. Tani të gjitha institucionet, pra përfaqësuesit e institucioneve po debatojnë se cila është situata reale në vend, grupi i punës po shpërndan të dhënat që t’i qasemi krijimit të masave sociale për pensionistët me pensione të ulëta. Pres që deri në fund të muajit të kemi propozime konkrete, të cilat do t’u prezantohen mediumeve edhe pensionistëve”

Qëllimi i krijimit të grupit të punës është të propozojë zgjidhje që do të jenë të qëndrueshme për sa i përket përcaktimit të masës së pensionit minimal, por edhe për lloje të tjera paketash masash në ndihmë dhe mbështetje të pensionistëve.

Ndryshe, pensionistët e shumë qyteteve të Maqedonisë së Veriut kanë protestuar disa herë. Ata kërkojnë rritje lineare prej 3.500 denarë për të gjitha pensionet, rregullimin e shumës sipas metodologjisë së re të vendosur vitin e kaluar, si dhe përcaktimin e pensionit minimal në shumë prej 80 për qind të pagës minimale.

Për datën 20 shtator është paralajmëruar përsëri protestë masive e pensionistëve.

Linda Ebibi /SHENJA/

 

MARKETING

UniConverter_20230519143422.gif



You may also like