(VIDEO) Mërgimtarët do të votojnë vetëm për president

by admin
Spread the love

Për zgjedhjet presidenciale pritet të votojnë 2 954 mërgimtarë. Sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor, qytetarët e Maqedonisë së Veriut jashtë vendit do të mund të votojnë vetëm për zgjedhjen e presidentit sepse nuk ka numër të mjaftueshëm të regjistruar për të votuar në zgjedhjet parlamentare. KSHZ ka pranuar 2610 kërkesa, dy janë të papërpunuara dhe 342 janë refuzuar. Ky numër mund të ndryshojë nëse Ministria e Punëve të Jashtme, jo më vonë se 21 mars, në KSHZ, në përputhje me orarin zgjedhor, paraqet raportet nga qytetarët të dorëzuara në zyrat diplomatike-konsullore, zyrat përfaqësuese.

Votimi për president në bazë të aplikimeve të pranuara, duhet të organizohet në 24 vende. Për organizimin e zgjedhjeve në një nga përfaqësitë diplomatike-konsullore është e nevojshme të regjistrohen së paku dhjetë zgjedhës. Kërkesat më të pranuara për votim janë në Gjermani – 578 kërkesa. Ndër vendet ku ka më pak të regjistruar është Kina ku janë 12 qytetarë tanë që duan të votojnë në zgjedhje.

Lidhur me zgjedhjet parlamentare, nga KSHZ kanë thënë se deputetët zgjidhen edhe në njësinë zgjedhore jashtë vendit sipas modelit proporcional. Për t’u zgjedhur, një deputet i njësisë zgjedhore 7 duhet të fitojë të paktën të njëjtin numër votash si deputeti me numrin më të vogël të votave në territorin e shtetit të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

MARKETING



You may also like