(VIDEO) Maqedonia e Veriut është një “hibrid ciklik” me korrupsion të lartë

by admin
Spread the love

Maqedonia e Veriut  është vendosur në grupin e “Hibrideve ciklike” në raportin e fundit të Freedom House “Kombet në tranzit 2024” bashkë me 10 shtete të tjera. Sipas vlerësimit, Maqedonia e Veriut  është ndër vendet ku ndryshimet e rregullta në elitën qeverisëse shkaktojnë mungesë ndryshimesh kuptimplota strukturore dhe ku partitë rivale, të dominuara nga personalitetet apo preferencat personale të liderëve të tyre, vazhdimisht politizojnë dhe futin në kurth institucionet e dobëta. Ajo që e ilustron këtë kategori është “kombinimi i pluralizmit politik dhe ndryshimit institucional sipërfaqësor”.

Në Raport thuhet se shpresat që u rritën në vitin 2017 pas përmbysjes së kryeministrit antidemokratik Nikola Gruevski ende nuk janë realizuar.

FREEDOM HOUSE

“As Gruevski dhe as bashkëpunëtorët e tij më të afërt nuk janë vënë para drejtësisë për shpërdorim detyre. Më keq, ndryshimet e diskutueshme në Kodin Penal në vitin 2023 reduktuan dënimet për abuzime të tilla, me rastet e mëdha që u vjetërsuan ndërsa publiku nuk ishte rikuperuar ende nga skandalet fatale të korrupsionit në sektorin e shëndetësisë”.

Raporti thekson gjithashtu se ka pasur një debat parlamentar polarizues për ndryshimet kushtetuese që janë kusht për rrugën e integrimit të vendit në BE.

Nga shtatë kategoritë e vlerësuara, nuk ka pasur ndryshime në pikë për pesë kategori:  qeverisja demokratike kombëtare, procesi zgjedhor, shoqëria civile, media e pavarur dhe qeverisja demokratike lokale, ndërsa  rënie është vërejtur në dy kategori – korniza gjyqësore dhe korrupsioni.

FREEDOM HOUSE

“Kjo tregon se sa i politizuar është sistemi gjyqësor. Këtë vit pati një sërë skandalesh në sistemin gjyqësor, si me Këshillin Gjyqësor dhe më pas me kreun e tij. E gjithë kjo reflekton dështimin e organeve të drejtësisë dhe antikorrupsionit që duhet t’i shërbejnë qytetarëve. Për momentin në Maqedoninë e Veriut mbizotëron ndjenja tek qytetarët se këto institucione nuk punojnë për t’i shërbyer popullit, por individëve të caktuar”.

Rënia është e dukshme edhe në rajon, ku katër vende nga Ballkani Perëndimor kanë shënuar rënie të vlerësimit. Vlerësimi për Malin e Zi ka rënë nga 3.79 në 3.75, për Bosnje dhe Hercegovinën nga 3.21 në 3.18 dhe Serbia ka shënuar rënien më të madhe – nga 3.79 në 3.61. Nga vendet e rajonit, vlerësimi ka mbetur i pandryshuar në raport me vitin paraprak për Kroacinë, Kosovën dhe Shqipërinë.

Sipas raportit të Freedom House, 11 vende janë në kategorinë e regjimeve hibride, të cilat kanë karakteristika të autokracisë dhe demokracisë. Për shkak se ato nuk i përkasin plotësisht asnjërit bllok, institucionet e tyre janë të cenueshme, gjë që në vitin 2023 ka çuar në më shumë regres sesa avancim. /SHENJA/

 

 

MARKETING



You may also like