(VIDEO) LSDM: Mickoski në Budapest për konsultime me Gruevskin, kreu i VMRO-së mohon pretendimet

by admin
Spread the love




Kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski ka qëndruar dje në Budapest për të pritur rezultatet e zgjedhje parlamentare në Hungari, në shtabin zgjedhor të kryeministrit aktual Viktor Orban. LSDM-ja akuzon se Mickoski ka qenë në konsultime tek ish kryeministri Nikolla Gruevski, i cili qëndron në Budapest i arratisur nga drejtësia e vendit. Sipas LSDM-së, vizitat e shpeshta të Mickoskit në Budapest tregojnë se i vetmi qëllim i Mickoskit është mbrojtja e Gruevskit.

DARKO KAESKI, ZËDHËNËS I LSDM-SË
“A ia tha Gruevski strategjinë Mickoskit për mbrojtjen në rastin “Parcelat në Vodno”? Në këtë lëndë gjyqësore, Gruevski akuzohet për shpërlarje parash dhe blerje të pronës në mënyrë të paligjshme. Me vizitat e shpeshta në Budapest dëshmohet se i vetmi qëllim i Mickoskit është mbrojtja e krimit të Gruevskit”.

Por Hristijan Mickoski mohon se ka takuar ish kryeministrin Gruevski. Ai në një intervistë dhënë javores “Fokus”, shprehet kategorik se nuk ka takuar Gruevskin, por ka shkuar në Budapest me ftesë të kryeministrit Orban.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË
“Maqedonia gjen një mik të madh te Viktor Orban i cili është edhe mik i madh i imi. Është nder të jem i ftuar që bashkë me Viktor Orbanin dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë nga Fides, të presim rezultatet nga zgjedhjet në Hungari”.

Mickoski thotë se për herë të fundit, Gruevskin e ka takuar në nëntor të vitit 2018, në kohë kur Gruevski duhej të shkonte në burg. /SHENJA/

 

 


You may also like