(VIDEO) LSDM dhe VMRO në garë për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët për president

by admin
Spread the love

Kandidatët për president të vendit, Stevo Pendarovski i përkrahur nga LSDM dhe Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE, për vetëm katër orë, në periudhën nga tetë e mëngjesit deri në ora 12, kanë arritur të grumbullojnë nënshkrimet e nevojshme. Siljanovska, ka mbledhur mbi 15 mijë nënshkrime të qytetarëve për të konfirmuar kandidaturën e saj, ndërsa Pendarovski deri në atë kohë ka mbledhur 10.000 nënshkrimet e nevojshme. Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski në një konferencë për media tha se vetëm për 4 orë janë mbledhur më shumë se 15.000 nënshkrime për Siljanovsken dhe sipas tij, kjo është një ditë historike.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO-DPMNE-SË

“Një numër i madh i qytetarëve i dhanë përrkahje kandidates nga VMRO-DPMNE Gordana Siljanovska, kjo është një ditë historike. Siç jam jooficialisht i informuar  deri në orën 14:00 janë grumbulluar më shumë se 22.000 nënshkrime. Presim të grumbullojmë edhe më shumë nënshkrime deri në fund të ditës, dhe do të jenë nënshkrimet e paarritura ndonjëherë në historinë e vendit”

Nga kabineti i presidentit nëpërmjet një komunikate me shkrim kanë deklaruar se në kohë rekord, për më pak se pesë orë, janë mbledhur 10 mijë nënshkrime të qytetarëve për Pendarovskin.

KABINETI I PRESIDENTIT

“Mbledhja e nënshkrimeve ka nisur sot më 3 mars në orën 08:00 në të gjithë territorin e vendit dhe në më pak se pesë orë janë mbledhur 10 mijë nënshkrime nga qytetarët që nevojiten për të mbështetur kandidaturën për president”.

Siljanovska Davkova dje zyrtarisht u zgjodh kandidate për kryetare të VMRO-DPMNE-së, pasi në Konventën e partisë më të madhe opozitare mori 444 vota të delegatëve. Ndërsa LSDM sot do të mbajë kongresin ku Pendarovski pritet zyrtarizohet përkrahja e tyre  për Pendarovskin si kandidat për president.

Të premten nënshkrimet i kanë grumbulluar Biljana Vankovska nga partia “Levica” si dhe Stevço Jakimovski  nga GROM. Ditë më parë nënshkrimet i kishin grumbulluar Arben Taravari, nga koalicioni “VLEN”, Bujar Osmani nga BDI dhe Maksim Dimitrievski  nga “ZNAM”. Procedura për mbledhjen e nënshkrimeve ka nisur më 23 shkurt dhe do të zgjasë deri më 8 mars në mesnatë.

Listat e kandidatëve për kryetar të shtetit pjesëmarrësit në zgjedhje duhet t’i dorëzojnë KSHZ-së më së voni deri më 19 mars deri në mesnatë. Zgjedhjet presidenciale janë caktuar për 24 prill, ndërsa raundi i dytë është më 8 maj, kur duhet të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/ 

 

 

MARKETING



You may also like