(VIDEO) Kuvendi konstatoi dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Kuvendi  miratoi sot dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, gjë që është pritur me duartrokitje nga VMRO DPMNE-ja opozitare. Dorëheqja e kreut të Qeverisë është konstatuar pa debat në seancën e Kuvendit, pasi këtë e ka kërkuar Zaevi në arsyetimin me shkrim të dorëheqjes. Zaev, dorëheqjen nga Qeveria, e ka paralajmëruar më 31 tetor, pas disfatës së thellë të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM) në zgjedhjet lokale.  Ai ka marrë përgjegjësinë për humbjen nga VMRO DPMNE-ja duke dhënë dorëheqjen edhe nga drejtimi i partisë.  Por, dorëheqja e tij është vonuar për gati dy muaj. Më 11 nëntor, ai i ka mbijetuar edhe mocionit të mosbesimit, që është iniciuar nga VMRO DPMNE-ja.

Zoran Zaev, në krye të Lidhjes Social Demokrate ka ardhur në vitin 2013, duke zëvendësuar në këtë post ish-presidentin Branko Cërvenkovski.

Në vitin 2015, Zaev, si lider i opozitës, ka publikuar atë që njihej si “Afera e përgjimeve”, e cila ka nxjerrë në pah shpërdorime të shumta të pushtetit nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Si pasojë e aferës, shumë zyrtarë të lartë, ministra, përfshirë edhe ish-kreun e Qeverisë, Gruevski, janë gjykuar për vepra të shumta penale. Afera e përgjimeve ka bërë që në dhjetor të vitit 2016, Maqedonia e Veriut të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por ndërrimi i pushtetit është bërë në vitin 2017, pas zhvillimeve dramatike – përfshirë dhunën në Kuvend më 27 prill – ku në shënjestër të sulmeve nga ithtarët e opozitës që kanë pushtuar Kuvendin, ka qenë edhe vetë Zaev dhe përfaqësues të opozitës së atëhershme. Në postin e kryeministrit, Zaev ka qëndruar pesë vjet, ndërsa paraprakisht, për nëntë vjet, ka qenë kryetar i Strumicës.

E arritura që i atribuohet Zaevit nga mbështetësit e tij, e që ka pasur edhe mbështetje ndërkombëtare, është zgjidhja e mosmarrëveshjes gati 30-vjeçare me Greqinë, rreth emrit.

Për shkak të këtij kontesti, Maqedonia e Veriut ka qenë në dhomën e pritjes së NATO-s qysh në vitin 2008. Me angazhimin e tij personal, së bashku me kryeministrin e atëhershëm grek, Alexis Tsipras, është arritur marrëveshja për emrin. Republika e Maqedonisë është bërë Republika e Maqedonisë së Veriut. Nga viti 2020, vendi është bërë edhe zyrtarisht anëtar i NATO-s.

Por, zgjidhja e kontestit ka bërë që opozita dhe një grup tjetër njerëzish t’i japin Zaevit epitetin e tradhtarit, duke thënë se ai “ka tradhtuar interesat kombëtare me heqjen dorë nga emri kushtetues i vendit dhe historia antike”.  Pavarësisht kritikave, Zoran Zaev, pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë, ka nisur përpjekjet për të zgjidhur një tjetër mosmarrëveshje me Bullgarinë – një tjetër vend fqinj i Maqedonisë së Veriut – që tashmë ka bllokuar integrimin evropian. Zaev po largohet nga Qeveria, por i bindur se pasardhësi i tij, Dimitar Kovaçevski, do të arrijë zgjidhjen e këtij kontesti, që kryesisht ka të bëjë me çështje që lidhen me gjuhën, identitetin maqedonas dhe të kaluarën historike.

Ndryshe nga paraardhësi i tij, Nikolla Gruevski, i cili ka marrë kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit të qeverisjes së tij, Zaev ka pasur mbështetjen e tyre.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

You may also like