(VIDEO) Kovaçevski: Pensionet do të harmonizohen me pagën

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg




Këtë të premte fillojnë takimet mes Qeverisë dhe përfaqësuesve të pensionistëve për të shqyrtuar mundësinë për rritjen e pensioneve. Kështu konfirmoi kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke paralajmëruar se mundësia që po shqyrtohet është rritje e përshkallëzuar e pensioneve, respektivisht të përfitojnë më shumë ata që marrin më pak për momentin. Ai tha se pret që bisedimet të përfundojnë me epilog pozitiv, të kënaqshëm për të dyja palët, ngjashëm si bisedimet për rritjen e pagës minimale.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Do të bëhet metodologjia e re për pensionet e cila do të jetë rezultat i dialogut me shoqatat e pensionistëve. Ky dialog do të fillojë të premten, këtë javë. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale tashmë ka caktuar takimin e parë ku do të bisedohet për modelet që kanë parashikuar shoqatat e pensionistëve por edhe resorët ekonomik të Qeverisë. Kjo metodologji duhet të mundësojë që rritja e pensioneve të jetë e qëndrueshme në vitet e ardhshme, duhet të kemi kujdes edhe për qëndrueshmërinë e Fondit Pensional”.

Por ndërkohë VMRO DPMNE-ja opozitare ka propozuar konkretisht në Kuvend që të vihet në rend dite çështja e rritjes së pensioneve. Ata propozuan që pensionet e të gjitha kategorive të rriten për 20%, duke filluar nga prilli i këtij viti.

NIKOLLA MICEVSKI, DEPUTET I VMRO DPMNE-SË
“Duke marrë parasysh se në periudhën e fundit ka rritje të çmimeve për produkte të caktuara dhe për energjinë elektrike, të cilat janë të rëndësishme për këtë kategori qytetarësh, ka ndikim direkt në standardin e tyre jetësor. Imponohet nevoja që të mendohet për rritjen e pensioneve të moshës dhe të gjitha pensionet tjera”.

Megjithatë shumica parlamentare ka votuar kundër futjes në rend dite të propozimit të VMRO DPMNE-së për ndryshimin e ligjit për pensionet, me arsyetimin se kjo çështje do të rregullohet në bisedimet e drejtpërdrejta mes Qeverisë dhe shoqatave të pensionistëve. Aktualisht Fondi Pensional dhe Invalidor paguan pensionet për rreth 325 mijë pensionistë. /SHENJA/


You may also like