(VIDEO) Komisioni parlamentar pranoi propozimin për ndryshimet kushtetuese, seanca më 18 gusht

by admin
Spread the love

Propozimi për ndryshime kushtetuese u miratua sot në Komisionin Parlamentar për Çështje Kushtetuese, me 10 vota “pro” dhe 7 “kundër”. Tashmë propozimi do të shkojë në seancë plenare, të planifikuar për 18 gusht, kur do të nevojiten dy të tretat e shumicës për të miratuar nevojën për ndryshime kushtetuese. Kryetari i Komisionit, Talat Xhaferi, tha se propozuesi për ndryshimet kushtetuese ka afat 15 ditë që të propozojë draft-amendamentet për ndryshimet kushtetuese.

Në debatin e sotëm i cili ishte i pari për ndryshimet kushtetuese, kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se nëse nuk votohen ndryshimet kushtetuese, do të ndërpritet procesi i integrimit të vendit në BE. Ai tha se me futjen e bullgarëve në Kushtetutë, nuk cenohet identiteti kombëtar dhe shtetëror i maqedonasve.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Nuk duhet ta humbim këtë shans për Evropën. Ndodhi një herë kur u ndamë nga Kroacia. E nëse do të ndodhë edhe këtë vit, do ta vendosni ju në Parlament. Përfaqësuesit evropianë paralajmërojnë se ekziston rreziku i ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, nëse ndryshimet kushtetuese nuk miratohen para fundit të vitit. Kjo do të thotë se ato nuk janë të diktuara, por janë pjesë e kornizës së negociatave me BE-në”.

Koordinatori i deputetëve të opozitës maqedonase, Nikolla Micevski, tha se ndryshimet kushtetuese bëhen nën diktimin e Bullgarisë dhe se të njëjtat nuk do t’i mbështesin asnjëherë

NIKOLLA MICEVSKI, KOORDINATORI I DEPUTETËVE TË OPOZITËS MAQEDONASE

“Ndryshimet kushtetuese nën diktim, presion dhe imponim janë të pamundura dhe nuk do t’i mbështesim kurrë. Është shkelje e sovranitetit të një vendi. Sovraniteti vjen nga populli dhe 80 për qind i thonë jo një akti të tillë dhune nga qeveria”.

Arta Bilalli Zeneli nga BDI tha se ky takim sot peshon më shumë sepse asgjë tjetër nuk peshon më shumë se ndryshimet kushtetuese.

Arta Bilalli Zeneli, BDI

 “Futja, njohja, inkorporimi i gjashtë komuniteteve tjera do të paraqet vetëm një vlerë të shtuar dhe me asnjë gjë nuk do ta cënon karakerin multietnik dhe multikulturor në shtetin tonë”.

Afrim Gashi nga Alternativa tha se qeveria nuk mendon për vendin dhe për ndryshimet kushtetuese sepse sipas tyre ky propozim është më shumë antieuropian.

AFRIM GASHI, ALTERNATIVA

“ Tani e kam patjetër të theksoj se ky propozim kështu si është përgatitur dhe kohën në të cilë është dërguar këtu në Kuvend, na lë më shumë për të kuptuar se ky propozim për ndryshime kushtetuese është më shumë antieuropian se sa që ka për qëllim integrimin e vendit në BE”.

Elmi Aziri nga Aleanca për shqiptarët tha se NATO dhe Bashkimi Evropian janë rruga e vetme dhe e drejtë.

ELMI AZIRI, ALEANCA PËR SHQIPTARËT

“Opsioni i drejtë, demokratik e në përputhje me tendencat historike është ky, Nato-ja, Bashkimi Evropian, Washingtoni dhe Brukseli, opsionet tjera janë demonstrim brutal I keqpërdorimit të sensit të qytetarëve për interese tjera”.

Qeveria të martën e kaluar ka dorëzuar në Kuvend propozimin për ndryshime kushtetuese. Ndërhyrjet në Kushtetutë, siç theksohet nga Qeveria, i referohen shtimit të pjesëve të kombeve në Preambulë, pjesët ku numërohen pjesët e kombeve në shtet.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING

UniConverter_20230519143422.gif



You may also like