(VIDEO) Dita e personave me aftësi të veçanta, thirrje për përfshirjen e tyre në çdo sektorë

by admin
Spread the love

Ata janë po ashtu njerëz, kanë nevojë të trajtohen sikur të tjerët, duan të përfaqësohen nëpër institucione sikur grupet e tjera të shoqërisë, e duan jetën po aq sa gjithë njerëzit e tjerë. Vërtetë ata kanë një dallim, ata janë më të sinqertë, të zellshëm dhe të përkushtuar në punë,  janë më të çiltër dhe e ndjejnë kur dikush i do dhe i trajton mirë. Këto janë personat me nevoja të veçanta. Tre dhjetori, gjithëkund në botë shënohet si dita e personave me aftësi ndryshe. E në vendin tonë, ka jo pak persona të tillë edhe pse ende nuk ka një regjistër për numrin e tyre të saktë.

Presidenti i shtetit porositi që çdo ditë të jetë ditë e personave me nevoja të veçanta.

STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT

“Të drejta të barabarta për të gjithë, trajtim i duhur për secilin, qasje deri te institucionet shëndetësore, arsimore, zhvillim i aftësive për punë dhe mbështetje për personat me aftësi të kufizuar, për integrim dhe zhvillim të shoqërisë tonë”.

Qeveria e RMV-së u mjaftua me disa rreshta të shkruara në facëbook, për të kujtuar këtë ditë.

QEVERIA E RMV-SË

“Duke i parë mundësitë dhe jo aftësitë, ndërtojmë shtet në të cilin secili është i rëndësishëm, kontribon dhe e ka vendin e vet në zhvillimin e shtetit”.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski bënë thirrje për përfshirjen e personave me aftësi ndryshe, në tregun e punës dhe në të gjitha sferat e tjera.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Në kabinetin tim janë të angazhuar persona me aftësi të veçanta, si dhe në Qeveri dhe institucione shtetërore. Inkurajoj për përfshirje më të madhe të këtyre perosnave edhe në tregun e punës dhe në të gjitha sferat shoqërore. Sepse, nëse diçka nuk njeh kufij, ato janë mundësitë, secili që i ka, nëse dëshirojmë dhe guxojmë, mund t’i shohim”.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë në një komunikatë dërguar mediave thotë se po punojnë për strategjinë e re Kombëtare për të drejtat e personave me aftësi të posatshme.

MINISTRIA E SHËNDETËSISË

“Ministri i Shëndetësisë ka ngritur komisione të nivelit të parë dhe të dytë për dhënien e opinionit konsullor me konstatim për realizimin e dëmshpërblimit monetar për një person me aftësi të kufizuar plotësisht të shurdhër, për një person me aftësi të kufizuar fizik më të rëndë, për një person plotësisht të verbër me aftësi të kufizuara, për një person me një paaftësi të rëndë ose të thellë intelektuale, për nevojën për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër”.

Nga VMRO opozitare premtojnë se nëse ata do të jenë në Qeveri do të ofrojnë më shumë mundësi për këtë grup të shoqërisë.

VMRO-DPMNE

“Shoqëria duhet të vetëdijësohet për nevojat e inkluzivitetit të dallimeve, institucionet duhet të marrin për obligim që të tregojnë më shumë aktivizëm që të mund të arrihet ndonjë qëllim, që me të vërtetë do t’u mundësojë atyre jetë më të mirë”.

Sfidat private, profesionale dhe institucionale me të cilat përballen, grupi më i dashur i shoqërisë mbeten të shumta.

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar 3 dhjetor, u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit. Më 11 qershor 2019, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, lansoi Strategjinë për Aftësinë e Kufizuar në një linjë me angazhimet e tij, për të shndërruar Kombet e Bashkuara një organizatë gjithëpërfshirëse. Strategjia në fjalë, thekson nxitjen e një progresi transformues dhe të qëndrueshëm, riafirmon përmbushjen e plotë të çështjes së personave me aftësi të kufizuar, si pjesë integrale e pandashme e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING



You may also like