(VIDEO) BDI kërkon hetim për tenderë prej 16 milionë euro të komunës së Çairit, Ganiu: Krimi dhe korrupsioni kanë adresë tjetër

by admin
Spread the love

Të hetohet ndarja e 16 milionë eurove nga Komuna Çair një personi të vetëm. Kështu sot kanë reagur nga partia në pushtet BDI. Nga kjo parti deklarojnë se me shqetësim i kanë ndjekur raportimet mediatike për keqpërdorime flagrante me furnizimet publike në Komunën e Çairit.

BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM

“Raportohet që nga viti 2020 deri në vitin 2023 – komuna e Çairit ka ndarë 16 milionë euro për tenderë për dy kompani ‘Bauer BG SHPK’ dhe ‘EnergoInvest Trejd’, të cilat kanë të njëjtin pronar, Gordana Dimitrova. Sipas raportimeve, komuna Çair ka lidhur edhe 23 marrëveshje furnizimi në vlerë prej 4.113.165 euro me kompaninë ‘Bauer BG’, si dhe marrëveshje në vlerë prej 11.091.674 euro për sheshin ‘Skënderbeu’, që në total është 15.204.843 euro”.

Në reagimin Bashkimi Demokratik për Integrim, më tej thuhet se i ftojnë institucionet përkatëse që të hulumtojnë keqpërdorimin eventual të mjeteve buxhetore dhe të veprojnë në përputhje me ligjin.

Ndërkaq, ka reagur edhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu. Ai thotë se krimi dhe korrupsioni kanë adresë tjetër. Ganiu gjithashtu thekson  se është më se e pritshme që të gjithë ata që mendojnë ndryshe do të jenë targeti i tyre, por kjo siç thotë ai,  nuk do t’ju ndihmojë ti fshehin  të gjitha skandalet korruptive dhe mëkatet që i kanë  bërë kundrejt popullit shqiptar.

VISAR GANIU, KRYETAR I KOMUNËS SË ÇAIRIT

“Duam të njoftojmë opinionin e gjerë se kompania e apostrofuar Bauer BG, nga Qeveria RMV-së në vitin aktual 2023, ka marrë tender në vlerë prej 6.5 milionë euro. Njejtë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e njëjta kompani ka marrë tender në vlerë prej gati 2 milionë euro, ndërsa nga Ministria e Mjedisit mbi 1 milionë euro, nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari prej mbi 8 milionë euro, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale prej 2 milionë euro, në total rreth 20 milionë euro.

“Ne si Komunë e Çairit, në mënyrë më transparente i ftojmë të gjitha institucionet relevante që ta hetojnë këtë rast, ku do të konfirmohet se mjetet në Komunën e Çairit janë ndarë me dedikim nga Qeveria e RMV-së, e cila siç mund të konstatohet rregullisht ka lidhur kontrata me kompaninë e sipërpërmendur”, ka thënë Ganiu. Ai ka thënë se institucionet kompetente duhet të vazhdojë hetimet edhe në të gjitha institucionet tjera të menaxhuara nga BDI, veçanërisht në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Komuniteteve, e cila menaxhohet nga Artan Grubi, si dhe në Lotarinë Shtetërore të RMV-së, e cila menaxhohet nga krahu i djathtë i Artan Grubit.

Samir Mustafa /SHENJA/

 

 

MARKETING



You may also like