(VIDEO) Banka Popullore: Inflacioni nën kontroll, ekonomia do të rimëkëmbet

by admin
Spread the love

Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska prezantoi sot raportin e tremujorit të fundit i cili përfshin projeksionet makroekonomike të Bankës Popullore. Guvernatorja tha se inflacioni është nën kontroll dhe gjithçka është në rregull.

ANITA ANGELLOVSKA BEZHOVSKA, GUVERNATORE E BANKËS POPULLORE

“Inflacioni mbetet nën kontroll. Parashikimet e fundit tregojnë për një inflacion të moderuar prej 3.1% në vitin 2021. Pjesa më e madhe e presioneve aktuale rritëse janë pasojë e faktorëve të ofertës, të lidhur me lëvizjet e çmimeve të produkteve parësore në bursat botërore, efektin e transmetuar të rritjes së çmimeve të vitit të kaluar me karakter rregullator, si dhe faktorë të caktuar specifik për krizës pandemike, dhe në kushtet e lehtësimit të masave kufizuese”.

Guvernatorja Angellovska-Bezhoska bënë  të ditur se vitin e ardhshëm pritet normalizimi i këtyre faktorëve dhe ngadalësimi i inflacionit, i cili do të reduktohet në 2.4%, dhe më pas gradualisht në rreth 2% në periudhën afatmesme. Sipas saj në të njëjtën kohë, nuk priten efekte të rëndësishme të transmetuara nga rritja aktuale e çmimeve, duke pasur parasysh vlerësimet për rikuperim të moderuar të kërkesës.

ANITA ANGELLOVSKA-BEZHOVSKA, GUVERNATORE E BANKËS POPULLORE

Në përgjithësi, vlerësimet e fundit për periudhën katërvjeçare 2021 – 2024 konfirmojnë pritshmëritë për rimëkëmbjen e ekonomisë vendase nga pandemia dhe në thelb janë të pandryshuara nga parashikimet e prillit. Vlerësimet shoqërohen me pasiguri të lartë, ku rreziqet janë kryesisht në rënie dhe lidhen kryesisht me zhvillimin e mëtejshëm të pandemisë dhe ndërprerjet në zinxhirët global të furnizimit dhe prodhimit. Banka Popullore vazhdon të monitorojë nga afër lëvizjet dhe rreziqet nga mjedisi i brendshëm dhe i jashtëm, për të përshtatur në mënyrë adekuate qëndrimin e politikës monetare.

Guvernatorja shtoi se treguesit për përshtatshmërinë e rezervave devizore tregojnë për mbajtjen e tyre në zonën e sigurt gjatë gjithë periudhës së projeksioneve, që tregon edhe për stabilitetin e valutës vendore – denarit. Samir Mustafa /SHENJA/

You may also like