(VIDEO) Aktakuzë e re ndaj Ramiz Merkos, vepra mund të dënohet nga 3 muaj deri në tre vjet

by admin
Spread the love

Aktakuzë e re për kryetarin e Strugës Ramiz Merko. Prokuroria Themelore Publike ka njoftuar se ka ngritur akuzë për veprën penale – Punë e papërgjegjshme në shërbim, gjegjësisht se ai ka emëruar ushtrues detyre drejtor në një shkollë fillore në Labënisht të Strugës. Sipas Prokurorisë, aktakuza do të jetë me procedurë të shkurtuar. Vepra penale parasheh denim me burg nga 3 muaj deri në tre vite.

PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE

“I akuzuari si zyrtar – kryetar i komunës së Strugës, më 31.01.2022, me rastin e emërimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit në një shkollë fillore komunale në fshatin Labënisht, ka shkelur dispozitat ligjore për veprim të ndërgjegjshëm. Me këtë ka marrë vendim dhe ka emëruar një person i cili nuk ka qenë i punësuar në shkollë, siç parashikohet në nenin 118 të Ligjit për arsimin bazë dhe nuk ka pasur përvojë adekuate të punës në punë edukativo-arsimore siç parashihet në nenin 109 të Ligjit”,

Kështu, siç njofton Prokuroria, i akuzuari ka bërë të mundur që personi të emërohet në detyrë dhe t’i paguhet paga si ushtrues detyre drejtor për 19 muaj, duke i ka shkaktuar shkollës dëm në shumën totale të pagave dhe kontributeve të paguara në mënyrë të pabazuar.

Kujtojmë se para më pak se një muaji, Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion ngriti padi kundër Merkos, për blerjen e veturës luksoze “Audi” në kurriz të Komunës, dhe me iniciativë të Komisionit Kundër Korrupsionit. Sipas Kodit Penal, për këtë vepër parashihet denim prej 1 deri në 5 vite.

Por, këto nuk janë përndjekjet e vetme të Prokurorisë ndaj Merkos. Në Prokurori ka gjithësej 16 lëndë aktive, përfshirë edhe këto dy vepra të lartëpërmendura. Nga viti 2006, numri i lëndëve që kanë kaluar në duart e prokurorëve dhe që lidhen me kryetarin e Strugës, kanë qenë 30, por me kalimin e viteve, 14 lëndë janë vjetëruar.

Përndryshe, kryetari strugan prej vjet gjendet në Listën e Zezë të SHBA-vë, përshkak të përfshirjes së tij në korrupsion. Emine Ismaili /SHENJA/

You may also like