(VIDEO) Aksion i policisë në disa klube nate në Shkup dhe Prilep

by admin
Spread the love




Ministria e Brendshme vazhdon kontrollet në klube nate dhe diskoteka, në kuadër të projektit “Vera e sigurt 2022”. Mbrëmë nga mesnata deri në orën 2 të mëngjesit janë kryer kontrolle në disa objekte në Shkup. Institucionet kanë konstatuar një sërë shkeljesh në këto objekte, ndërsa janë ndaluar edhe pesë adoleshentë që po qëndronin në klube nate pas mesnate, edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar me ligj.
MPB
“Gjatë kontrollit, në një objekt hotelierik janë gjetur pesë adoleshentë pas mesnate. Pas dokumentimit të rastit, kundër individëve dhe personave juridik do të dorëzohen kallëzime adekuate. Gjithashtu nga Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut janë konstatuar shkelje në objektet e kontrolluara për çka do të ketë sanksione adekuate”.
Kontrolle të tilla janë kryer edhe në Prilep dhe rrethinë. Nga mesnata deri në orën 4 të mëngjesit policia ka zhvilluar aksion në klubet e natës në Prilep dhe rrethinën e Prilepit ku janë arrestuar 19 persona, prej të cilëve 7 adoleshentë.
MPB
“Në objekte janë gjetur 7 adoleshentë pas mesnate, ndërsa dy adoleshentë janë gjetur duke konsumuar alkohol. Gjithashtu 10 persona nuk kanë pasur dokument identifikimi, tek një person është gjetur thikë, është gjetur një shtetas i huaj me qëndrim të parregulluar në vend dhe një person ka prishur rendin dhe qetësinë publike. Ndaj të gjithë individëve dhe personave juridik do të dorëzohen kallëzime adekuate”.
Në kontrollet e tilla rutinë, përveç policisë marrin pjesë edhe Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe Inspektorati i Tregut. Qëllimi është që të ruhet siguria e qytetarëve dhe qetësia në vende publike, si dhe të parandalohen krime dhe keqpërdorime. /SHENJA/


You may also like