(VIDEO) 59 mijë denarë për shpenzimet minimale të një familjeje 4-anëtarëshe

by admin
Spread the love

Çdo muaj e më shumë po  rriten shpenzimet e jetesës në Maqedonin e Veriut. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë njoftojnë se për një familje katëranëtarshe, vlera e shportës minimale sindikale për muajin mars 2024 është 58.998 denarë, ose 1 522 denarë më tepër se në muajin shkurt. Rritje më të madhe ka në pjesën e ushqimeve dhe pijeve, të cilat për muajin mars arritën në 22.681 denarë, në krahasim me muajin shkurt, kur ishte 21.219 denarë, ose 1.462 denarë më tepër. Nga Lidhja e Sindikatave theksojnë se nëse jetohet në një banesë me qera prej 60 metrash katrorë për muajin mars, shporta sindikale arrin në 74.373 denarë.

Nga të dhënat që disponon LSM, nga dhjetori 2023 deri në mars 2024, vetëm shpenzimet për ushqime dhe pije janë rritur me 1 951, ose e përthyer në përqindje me 9,41 për qind.

LIDHJA E SINDIKATAVE TË MAQEDONISË

“Vlera e shportës minimale sidikale ka qenë në rritje të vazhdueshme që nga fillimi i vitit, më konkretisht në muajin mars 2024, ku rritja është më e theksuar në pjesën e ushqimeve dhe pijeve,  ku si rezultat i mos dëgjimit të apelit të LSM-së, tregëtarët i rritën jashtëzakonisht çmimet e produkteve ushqimore, gjë që rezulton në praktika të padrejta dhe varfërimin e qytetarëve”.

Rritja e çmimeve, thonë nga LSM, kontribuon në humbjen e fuqisë blerëse të punëtorëve dhe qytetarëve. Sipas tyre, me rritjen e re të pagës minimale nga marsi 2024, e cila sipas llogaritjeve do të jetë rreth 22.567 denarë (366 euro), nuk do të ketë efekt pozitiv në standardin e qytetarëve.

LIDHJA E SINDIKATAVE TË MAQEDONISË

“LSM propozoi vazhdimin e masës për kufizimin e çmimeve në drejtim të mbrojtjes së standardit jetësor të punëtorëve dhe qytetarëve, veçanërisht sepse e dinim që dëshira dhe fitimi i shefave do të ishte arsyeja e rritjes së pajustifikuar të çmimeve në dëm të punëtorët dhe qytetarët dhe kjo është diçka që nuk guxon të lejohet”.

Nga LSM i ftojnë punëtorët dhe qytetarët që së bashku me ta të shprehin pakënaqësinë e tyre në protestë dhe t’u  bashkohen, sepse siç thonë nga LSM,  është momenti kur duhet të jenë të zëshëm. Samir Mustafa /SHENJA/

 

 

MARKETING



You may also like