(VIDEO) 500 pacientë në vit preken nga kanceri i zorrës së trashë

by admin
Spread the love

500 pacientë në vit preken nga sëmundja e kancerit të zorrës së trashë dhe 90% të rasteve të kësaj sëmundje nëse intervenohen në faza të hershme janë plotësisht të shërueshme, tha  për Shqip Prof.Dr. Nikolla Jankullovski, kirurg në klinikën kirurgjike digjestive në Shkup. Ai sqaroi se kanceri i zorrës së trashë paraqet sëmundje malinje të pjesës së fundit të traktit digjestiv të njeriut dhe se deri tek paraqitja e kësaj sëmundje paraprijnë simptome të ndryshme, të cilat nëse nuk mjekohen me kohë përfundojnë në paraqitjen e kancerit të zorrës së trashë.

PROF.DR NIKOLLA JANKULLOVSKI, KIRURG NË KLINIKËN  KIRURGJIKE DIGJESTIVE NË SHKUP

“Fillimisht paraqiten polipet të cilat mund të largohen me kolonoskopi dhe të mos vijë deri tek paraqitja e kancerit. Polipet zakonisht nuk shkaktojnë sipmtome po edhe kanceri  i hershëm nuk jep shpesh simptome kështu që duhet të bëhet preventim, këto polipe të largohen dhe të mos vije deri tek paraqitja e kancerit të zorrës së trashë. Ekzistojnë statistika dhe rezultate që tregojnë se faza e parë e paraqitjes së kancerit është 90% e shërueshme nëse zbulohet dhe nëse ndërmeren masa të duhura, para se gjithash kirurgjia është këtu. Ka dallim të madh të shërimit të sëmundjes në mes fazës së 1 dhe të 4 sepse mbijetesa në fazën e 4 vlerësohet me 0 ndërsa në fazën e 1 me 99.9%”.

Jankullovski theksoi se tek ne më shpesh paraqiten faza e 3 dhe 4, më rallë faza e 2 dhe shumë rrallë faza e parë . Ai shtoi se sipmptomet janë të shumta, duke filluar nga jashtëqitjet e shpeshta, gjakderdhje, shtrëngime në stomak, lodhësi dhe anemi. Për ti diagnostifikuar këto sipmtome siç tha Jankullovski pacientët duhet ti nënshtrohen programeve të skriningut sidomos grupet më të rrezikuara pra, personat mbi moshën 50 vjeçare.

PROF.DR NIKOLLA JANKULLOVSKI, KIRURG NË KLINIKËN  KIRURGJIKE DIGJESTIVE NË SHKUP

“Vetëdija e qytetarëve duhet të rritet lidhur me këto sëmundje, populli duhet të dijë se çfarë simptome mund të kenë dhe të paraqiten tek mjeku amë, mjeku amë duhet të jetë i informuar mirë me simptomet dhe të vazhdohet me procedurat tjera të duhura.  Është shumë e rëndësishme mjeku amë ti njeh mirë simptomat dhe ta orientojë pacientin në mënyrë të kujdesshme”

Jankullovski tha se sëmundja e kancerit të zorrës së trashë mund të paraqitet edhe tek personat nën moshen 50 vjeçare dhe prandaj programet e skriningut janë shumë të rëndësishme . Ai apeloi për kujdes edhe për ushqimet që i konsumojmë. “Të evitohen yndyrnat,të ndërpritet pirja e alkoolit dhe duhanit dhe  të konsumohen ushqimet e shëndetëshme” tha Dr. Jankullovski.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING



You may also like