(VIDEO) 26 vjet nga rënia e familjes Jashari, altari ku nisi shtetësia e Kosovës

by admin
Spread the love

Sot e 26 më parë, familja Jashari në Prekaz ranë heroikisht, për të mos vdekur kurrë më. Ishte ajo ditë e 5 marsit 1998 kur forcat serbe filluan sulmin e tretë ndaj komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jasharit, familjes së tij dhe lagjes së Jasharëve në Prekaz të Skenderajt. Ishte dita kur lufta për çlirimin e Kosovës mori formë dhe kur emri i Jasharëve do të shkruhej me shkronja të arta në historinë e kombit deri në përjetësi.

Sulmi i parë ndaj familjes Jashari ishte bërë më 30 dhjetor të 1991-s, ndërsa presioni ndaj familjes Jashari nuk do të ndalej për shtatë vite me radhë, deri në sulmin e dytë kur forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998.

Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po i bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta.

Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, as neve nuk na duhet jeta”.

Kështu, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 forcat paramilitare serbe ekzekutuan sulmin e tretë ndaj familjes Jashri duke vrarë 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të komandantit Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.

Në 26-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Po ashtu, Kuvendi i Kosovës mbajti seancë solemne me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Kryeministri Albi Kurti tha se Epopeja e UÇK-së përmbledh një trashëgimi të madhe politike, kulturore e kombëtare nga e cila ka ardhur liria e Kosovës dhe mbi të cilat është ndërtuar vet shteti i Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se “do t’i shërbejnë Republikës, ashtu siç i kanë shërbyer të gjithë dëshmorët e rënë”.

Seanca në Kuvendin e Kosovës nisi me intonimin e himneve shtetërore e kombëtare dhe një minutë heshtje për të gjitha viktimat e luftës.

I pranishëm ishte edhe Rifat Jashari, Bekim Jashari dhe disa anëtarë të tjerë të familjes heroike Jashari nga Prekazi i Skenderajt.

Po ashtu, në seancën solemne të Kuvendit prezent ishin present edhe familjarë të tjerë të ish komandantëve të UÇK-së.

Në Lagjen e Jasharëve në Prekaz është ngritur monumenti më i madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe më 5, 6 e 7 mars të çdo viti, kombi shqiptar kthehet me respekt dhe admirim për ta kujtuar këtë ngjarje të lavdishme të historisë më të re kombëtare. Avdi Bakiu /SHENJA/

MARKETING



You may also like