Vetëvendosje në Lipjan thotë se asamblistët e saj u sulmuan nga Imri Ahmeti (VIDEO)

by admin
Spread the love

Nga Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan kanë thënë se asamblistët e saj u sulmuan nga kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Qendra e Vetëvendosjes në Lipjan në Facebook, ku theksohet se gjatë punimeve të seancës së Kuvendit Komunal në Lipjan, aktivistë dhe asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje u sulmuan nga kryetari i komunës.

“Në fakt, pezmi e zemërimi i Imri Ahmetit ndaj aktivistit Blerton Vehapi kishte filluar qysh në tetorin e vitit të kaluar, në ditën e zgjedhjeve, ku Imri Ahmeti, para një mase të konsiderueshme të njerëzve, kishte përdorur gjuhë të urrejtjes dhe linçuar publikisht atë. Tendenca për ta përdorur intimidimin dhe kërcënimin ndaj një të riu 20 vjeçar, për t’ia shuar zërin, nuk i bën aspak nder një kryetari të komunës, i cili supozohet të kujdeset për të gjithë qytetarët pa dallim. Mësymja e pakuptimtë që Imri Ahmeti ka ndërmarrë ndaj “Blertonit e asamblistëve tanë, është skandaloze dhe si e tillë duhet të shihet me kujdes, sepse përbën një mesazh të qartë ndaj çdo të riu e të reje që aktivizohet politikisht e ka qëndrime të ndryshme me të”.

“Poashtu, në një ngarendje për të shpërfaqur servilizmin e thellë ndaj Imri Ahmetit, asamblistë të LDK-së e zyrtarë komunalë të akomoduar nga Imri Ahmeti, vazhduan sulmin e kërcënimet e ashpra ndaj asamblistëve e aktivistëve tanë, duke u munduar të nxjerrin jashtë me forcë aktivistët, me ç’rast asamblistët e LDK-së Venhar Agushi dhe Fitim Shala kapin me dhunë aktivistët dhe ia marrin dhunshëm nga dora telefonin asamblistes së Lëvizjes VETËVENDOSJE”, thuhet në komunikatë.

“Kryetari i komunës së Lipjanit gjuhën denigruese e kërcënimet i ka pjesë të rëndomtë të personalitetit dhe politikbërjes që manifestojnë vogëlsinë e tij, prandaj secili që mendon dhe vepron ndryshe, rëndom përballet me etiketime, shpifje e bullizim nga Imri Ahmeti, ndërsa Kuvendi Komunal trajtohet si zyrë e LDK-së e pronë private e z. Ahmeti”.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Lipjan, dënon fuqishëm aktin skandaloz të Imri Ahmetit dhe vartësve të tij ndaj aktivistëve e asamblistëve tanë, ndërsa po shohim të gjitha mjetet dhe mundësinë për reagim ligjor në këtë drejtim. Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Lipjan, ia kujton edhe njëherë Imri Ahmetit, se nuk ia kemi as respektin e as frikën dhe se angazhimi ynë politik në mbrojtje të interesit të qytetarëve e denoncimin e keqpërdorimeve nuk do të arrijë që ta ndalë”, thuhet tutje në komunikatë.

You may also like