Venuti i prish mbrëmjen Fiorentinës, Juventusi “rrëmben” fitoren në frymën e fundit

by admin
Spread the love

Juventusi ia ka dalë të marrë një fitore shumë të rëndësishme në Artemio Franchi kundër Fiorentinës në ndeshjen e parë të gjysmëfinales në Kupën e Italisë. Autogoli i Venutit në fundin e takimit i dha fitoren Juventusit në një ndeshje që nuk pati shumë shkëlqim për “Zonjën e Vjetër”.

Ishte Fiorentina ajo që rrezikoi më shumë në pjesën e parë me Juventusin që e luajti shumicën e pjesës së parë në mbrojtje. Bonaventura nuk shfrytëzoi dot një rast të artë edhe pse ishte me portën e boshatisur pas një gabimi të portierit Perin.

Ky i fundit iu përgjigj mjaft mirë një goditjeje të Torreiras pak minuta më vonë. Megjithatë, pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.

Ndërkohë, në pjesën e dytë, Juventusi kërkoi të bënte diçka më tepër dhe rastin e parë e pati me Dusan Vlahovic. Serbi u përpoq të realizonte me një parabël, por portieri i Fiorentinës u tregua i vëmendshëm dhe ndali gjithçka.

Më pas ritmi ra ndjeshëm dhe të dyja ekipet u dukën të kënaqura me një barazim. Dhe pikërisht kur mendohej se gjithçka do të mbyllej me një rezultat të bardhë, Venuti shënoi në portën e vetë duke i dhënë fitoren Juventusit. Ndeshja përfundoi me rezultatin 1-0 ndërsa gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Torino. /oversport.tv

KUPA E ITALISË- Gjysmëfinale e vajtjes

Foto: JuventusFC Twitter

You may also like