Vendet e Gjirit Persik i kërkojnë rrjetit Netflix të heqë përmbajtjet homoseksuale që kundërshtojnë vlerat islamike (fotot)

by admin
Spread the love

Vendet arabe të Gjirit Persik i kanë kërkuar rrjetit televiziv amerikan Netflix heqjen e programeve ku shfaqen personazhe ‘gay’ e lesbikë pasi kundërshtojnë vlerat e vendeve islamike.

Përmbajtjet e filmave të fundit duke përfshirë dhe materiale për fëmijë, kanë shkelur rregullat duke u quajtur “ofenduese” nga rregullatorët televizivë të Këshillit të Medias së Arabisë Saudite.

Rregullatorët në Arabinë Saudite ilustronin vendimin me një intervistë të një “konsulenteje të sjelljes” që përshkruante rrjetin Netflix si një “sponsor zyrtar të homoseksualitetit”.

Në të njëjtën kohë televizionet shfaqnin pamje të errësuara të sekuencave nga filma të animuar si ai ‘Jurassic World: Camp Cretaceous,’ ku dy vajza adoleshente shprehnin dashurinë dhe putheshin në buzë.

Autoritetet transmetonin një segment ku sugjerohej se Netflix mund të ndalohej në mbretërinë islamike për “kushtëzim dhe programim të fëmijëve ndaj vlerave të papranueshme në vend”.

Komisioni i Mediave Audiovisuale në Riad tha se përmbajtjet shkelnin rregullacionin e Këshillit të Vendeve të Gjirit, ku përfshihen Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrein, Omani, Katari e Kuvajti.

Nëse Netflix vijojn të transmetoje përmbajtjet në fjalë ata shtonin se “masa ligjore do të merren”, pa specifikuar më shumë.

Zhvillimi vjen teksa një muaj më parë vendet muslimane ndaluan transmetimin e filmit të fundit të animuar të Disney, ‘Lightyear’ pasi në një moment shfaqte dy personazhe lesbike duke u puthur.

Qeveria Saudite besohet se kontrollon këshillin e kontrollit të medias së vendeve arabe, dhe më parë ka marrë masa ndaj artikujve të tjerë perëndimorë të lidhur me fëmijët, ku shfaqeshin elemente homoseksualiteti apo simbole të lëvizjeve LGBT.