VARSHAVË – Polonia akuzon Putinin për përhapje të dezinformatave

by admin
Spread the love

VARSHAVË, 5 nëntor /ATSH-PAP/- Komisioneri i qeverisë polake për Sigurinë e Hapësirës së Informacionit, Stanislaw Zaryn ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin për përsëritjen e insinuatave që e paraqesin Poloninë si një vend agresiv.

Në Ditën e Unitetit Kombëtar të Rusisë Putin hodhi sërish pretendimin se Polonia nuk i kishte braktisur ëndrrat për të marrë nën kontroll rajone të Ukrainës.

Duke iu drejtuar një takimi me historianët, presidenti rus, Putin tha se slogani “Polonia nga deti në det” kishte qenë shumë popullor përpara Luftës së Dytë Botërore, por mbeti “një dëshirë” në atë kohë.

“Megjithatë, ideja është ende e gjallë dhe planet për të marrë nën kontroll rajone të Ukrainës nuk janë zhdukur”, deklaroi Putin.

“Ne kemi pasur të bëjmë edhe një herë me insinuata, të cilat janë të shkëputura nga realiteti dhe që janë krijuar për të treguar Poloninë si një vend agresiv që përbën një kërcënim për Ukrainën Perëndimore”, tha Zaryn.

Sipas Zaryn, qëllimi i tezave të rreme të përhapura nga propaganda ruse është të diskreditojë Poloninë dhe të tregojë Rusinë si një garanci të paqes dhe stabilitetit.

Polonia i ka mohuar vazhdimisht pretendime të tilla ruse. “Deklarata të tilla janë dezinformata që përhapen nga Moska në një përpjekje për të mbjellë mosmarrëveshje midis Varshavës dhe Kievit”, sipas qeverisë në Poloni.

Dita e Unitetit Kombëtar përkujton një kryengritje popullore ruse që çliroi Moskën nga forcat pushtuese polake-lituaneze, më 4 nëntor 1612. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like