Ushtari ukrainas: Çfarë do të thotë të jesh rob lufte në duart e rusëve

by admin
Spread the love

Kur njerëzit mësojnë se si forcat ruse i trajtojnë të burgosurit ukrainas të luftës, ata tronditen, thotë Arseniy Fedosiuk, anëtar i brigadës ukrainase “Azov” dhe ish i burgosur lufte. Aktualisht, ai dhe gruaja e tij ndodhen në Shtetet e Bashkuara.

Në materialin në vazhdim, ai tregon për shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës lidhur me ato që përjetoi ai dhe ukrainasit e tjerë në duart e forcave ruse pasi u zunë robër lufte.

Më 11 qershor, Ukraina dhe Rusia shkëmbyen rreth 200 të burgosur, përfshirë ushtarë ukrainas që luftuan në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol.

Arseniy Fedosiuk luftoi në uzinën Azovstal, u kap rob nga forcat ruse në maj të vitit 2022 dhe u lirua shtatë muaj më pas.

“Njerëzit tronditen kur u tregoj se si dukeshin luftëtarët tanë pasi u liruan nga rusët”.

Aktualisht, ai dhe gruaja e tij Yulia Fedosiuk ndodhen në Shtetet e Bashkuara dhe po ngrenë zërin mbi trajtimin brutal të ukrainasve të zënë rob nga forcat ruse.

“Ndjenja e mungesës së shpresës, duke e ditur se nuk mund t’i shpëtojmë, dhe nuk mund të bëj asgjë. Kishim shpresa të mëdha për evakuim, për ekstradim në një vend të tretë”.

Pasi u zunë rob, Fedosiuk dhe luftëtarët e tjerë u dërguan në një burg jashtë fshatit Olenivka në rajonin e Donetsk-ut, ku ai thotë se u morën në pyetje dhe u torturuan. Në korrik të vitit 2022, një zjarr në burg u mori jetën më shumë se 50 njerëzve.

Ukrainasja Yulia Fedosiuk tregon për Zërin e Amerikë se ajo u përpoq me dëshpërim që të mësonte për fatin e burrit të saj.

“Nuk kishte asnjë mënyrë për të komunikuar me ta. E vetmja gjë që kishim ishte një video e kufomave të djegura. Disa gra i njohën të dashurit e tyre mes të vdekurve”.

“Në bazë të listës, të gjithë ata që ishin nga brigada Azov i vendosën në pjesën industriale të burgut. Tre ditë më pas, ata realizuan një shpërthim gjatë natës, ndërsa të burgosurit flinin. Si rezultat i shpërthimit mbi 50 njerëz humbën jetën dhe pjesa tjetër u plagosën”, tregon Arseniy Fedosiuk, ish i burgosur lufte.

Ata që mbijetuan, përfshirë zotin Fedosiuk, u dërguan në burgje të tjera.

“Gjatë ditës nuk na lejohej të shtriheshim apo të uleshim në shtrat. Ushqimi, afro 600 kalori në ditë, ishte i mjaftueshëm vetëm sa për të mbajtur frymën gjallë”.

Përfundimisht, ai u kthye në Ukrainë në fund të dhjetorit të vitit 2022 dhe u shtrua në spitalin Sumy.

“Nga pamja e jashtme ai duket i shëndetshëm. Por ai ka probleme me stomakun, shpinën dhe këmbët”, tregon bashkëshortja e tij.

Pasi të mbarojë trajtimet mjekësore dhe të shërohet, zoti Fedosiuk ka në plan të kthehet në vijën e parë të frontit. Aktualisht, çifti ndodhet në Shtetet e Bashkuara në përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare lidhur me mënyrën se si Rusia i trajton të burgosurit ukrainas të luftës. Rusia mban si robër lufte rreth 700 ukrainas nga batalioni Azov që luftuan për mbrojtjen e Mariupol-it.


Top Channel

You may also like