UKRAINË – Ushtria tërhiqet nga qyteti Avdiika

by admin
Spread the love

KIEV, 17 shkurt /ATSH-DPA/ – Ushtria ukrainase u tërhoq nga qyteti Avdiivka për të cilin ishte luftuar prej muajsh.

”Bazuar në situatën operacionale rreth Avdiivkës, për të shmangur rrethimin dhe për të ruajtur jetën dhe shëndetin e ushtarakëve tanë, vendosa të tërhiqja njësitë tona nga qyteti dhe të lëvizja për të mbrojtur pozicione më të favorshme”, shkroi komandanti i ri ukrainas, shefi Oleksander Syrskyi në platformën X, sot herët në mëngjes.

Trupat ruse janë përpjekur të kapin Avdiivkën që nga tetori 2023 duke pësuar humbje të mëdha.

Ish-qyteti industrial ka qenë një post ukrainas në afërsi të Donetsk, kryeqyteti i kontrolluar nga Rusia i rajonit të qymyrit dhe çelikut të Donbass, që nga viti 2014.

”Pushtimi i qytetit nga trupat ruse mund të mos jetë strategjikisht i rëndësishëm, por ai mund të shfrytëzohet nga Kremlini për qëllime propagandistike përpara zgjedhjeve presidenciale ruse në mars”, shkruajnë ekspertë nga Instituti Amerikan për Studimin e Luftës (ISW).

Hera e fundit që Ukrainës iu desh të hiqte dorë nga një qytet ishte pas betejës së Bakhmutit në pranverën e vitit 2023, një betejë e cila gjithashtu zgjati me muaj.

Syrskyi vazhdoi të shkruante se ushtarët e përmbushën detyrën e tyre ushtarake me dinjitet dhe bënë gjithçka “për të shkatërruar njësitë më të mira ushtarake ruse”.

”Ata i shkaktuan armikut humbje të konsiderueshme në aspektin e personelit dhe pajisjeve”, tha ai.

”Ne po marrim masa për të stabilizuar situatën dhe për të ruajtur pozicionet tona”, thuhet në postimet e tij në rrjetet sociale, duke shtuar se jeta e personelit ushtarak është vlera më e lartë.

Gjatë ditëve të fundit, situata për mbrojtësit ukrainas në qytet ishte bërë gjithnjë e më e vështirë.

”Mbrojtësit ukrainas po luftonin në kushte çnjerëzore”, shkroi shërbimi për shtyp i Brigadës 110 të ushtrisë ukrainase të vendosur në Avdiivka.

”Trupat ruse kishin avancuar nga disa anë”, thanë të enjten ekspertët e ISW në analizën e tyre të përditshme./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like