UKRAINË – Shmyhal: Gjermania të furnizojë Kievin me tanke luftarake

by admin
Spread the love

KIEV, 2 shtator /ATSH-DPA/- Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal i ka bërë thirrje Gjermanisë që t’i sigurojë Kievit tanke moderne luftarake për të ndihmuar forcat e saj të armatosura të luftojnë pushtimin e vazhdueshëm rus.

“Ne kemi nevojë për një ndryshim në filozofi pas dërgesave të armëve. Me këtë dua të them që duhet të dorëzohen gjithashtu tanket moderne”, tha Shmyhal përpara vizitës së tij në Berlin këtë fundjavë.

“Ne presim që SHBA-ja të furnizojë Ukrainën me tanke “M1 Abrams” dhe Gjermania me tanke “Leopard 2″. Këto janë tanket moderne që Ukrainës i duhen në fushën e betejës”, shtoi ai.

Furnizimi me tanke luftarake dhe mjete luftarake të këmbësorisë në Ukrainë mbetet një tabu në Gjermani, ku publiku zakonisht është i kujdesshëm për çdo formë të ndërhyrjes ushtarake të huaj.

Asnjë shtet tjetër i NATO-s deri më tani nuk i ka ofruar Ukrainës këto lloj sistemesh armësh.

Shmyhal do të mbërrijë në Berlin të shtunën dhe të dielën dhe do të pritet nga kancelari gjerman Olaf Scholz.

Gjermania fillimisht hezitoi të furnizonte Kievin me armë, por më pas dërgoi 10 obus, tre raketahedhës të shumëfishtë dhe tre automjete të blinduara rikuperimi.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like