UEFA konfirmon se e kishte pezulluar Agim Ademin në vitin 2020

by admin
Spread the love

UEFA e ka konfirmuar për Gazetën Nacionale se e kishte pezulluar presidentin e Federatës së Futbollit, Agim Ademi, nga ushtrimi i çdo aktiviteti që ndërlidhet me futbollin në vitin 2020, para se ta shfuqizonte më vonë atë vendim të Organit për Kontroll, Etik dhe Disiplinë (CEDB).

Ademi e kishte mohuar vazhdimisht se ishte pezulluar nga UEFA, përfshirë të dielën në një emision të sportit në Televizionin Publik të Kosovës, para se t’i zbulohej letra e UEFA-s nga vera e para dy viteve.

Gazeta Nacionale e ka pyetur zyrën për media të shtëpisë së futbollit evropian, e cila konfirmoi se Ademi ka qenë i pezulluar përkohësisht.

“Organi për Kontroll, Etik dhe Disiplinë (CEDB) i UEFA vendosi për këtë çështje më 20 gusht 2020. Megjithatë, ky vendim i CEDB -s nuk është më i vlefshëm ligjërisht, sepse ishte shfuqizuar nga një vendim tjetër i CEDB”, tha për Nacionalen UEFA.

Më 2 mars, FFK-ja i shpalli zgjedhjet e reja për 6 prill, duke iu dhënë kandidatëve të mundshëm jo më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitet programet e tyre. Pretendohet se me këtë, ajo e ka shkelur Nenin 39 të Statutit të federatës, i cili thekson se kuvendi zgjedhor për emërimin e presidentit të FFK-së duhet të thirret dy muaj më herët.

Por UEFA nuk deshi të komentojë rreth dyshimeve dhe akuzave për shkelje të rregullores së FFK-së, e cila rrezikon ta njollosë Kuvendin Zgjedhor të muajit të ardhshëm, vetëm duke treguar se është ftuar dhe e ka pranuar ftesën për të marrë pjesë si vëzhgues në këtë kuvend.

“UEFA është njoftuar zyrtarisht nga FFK-ja për datën e kuvendit zgjedhor dhe e ka pranuar ftesën për të marrë pjesë, të cilën natyrisht se do ta pranojmë”.

Ademi, 60 vjeç, është në pritje të një seance gjyqësore në rigjykim për veprën penale detyrim në tentativë, e cila nuk ka të bëjë me futbollin dhe është zvarritur që prej vitit 2012.

Ai po ashtu është nën hetime për dyshimet se e ka kurdisur një ndeshje të ekipit kombëtar U21 të Kosovës më 2016 dhe nën hetime në dy raste të tjera i dyshuar për sulm fizik ndaj mjekut të kombëtares, Mehmet Maxhuni, në Parkun e Gërmisë më 2019.

Si dhe nën hetim mbi dyshimet për sulm fizik ndaj Artan Govorit, zyrtarit për marrëdhënie me jashtë në FFK, javën e kaluar, për të cilin ishte arrestuar dhe ishte mbajtur një natë në stacionin policor në Prishtinë.

UEFA nuk ka dashur të përgjigjet rreth telasheve të Ademit me ligjin në vend dhe për rrezikun me të cilin mund të përballet Kosova nëse udhëhiqet nga një person i ndjekur penalisht.

“Nuk kemi koment tjetër për këtë çështje”, u përgjigj shkurtimisht UEFA.

Në zgjedhjet e 6 prillit, Ademi do të garojë kundër Gramoz Vokrrit, djalit të legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të FFK-së.

Ademi – i cili e mori drejtimin e FFK-së më 2018 pas vdekjes së Vokrrit – nuk ka marrëdhënie të mira me Gramoz Vokrrin, i cili më 2019 ishte larguar nga federata për shkak të mospajtimeve me Ademin.

Vokrri, 35 vjeç, e zyrtarizoi kandidaturën për president të FFK-së javën e kaluar, duke thënë se synon ta sjellë një frymë të re në federatën që e cilëson si jotransparente.

You may also like