U shpall në kërkim nga SPAK, arrestohet ish-zyrtarja e lartë

by admin
Spread the love

Një ish-zyrtare e administratës është arrestuar nga policia e Tiranës pasi ishte shpallur në kërkim nga ana e SPAK për korrupsion.

Në pranga është vendosur shtetasja me iniciale A.F. 48 vjeçe. Sipas policisë, kjo shtetase ka marrë një rryshfet prej 131 mijë eurosh nga një kompani italiane.

Ajo ka favorizuar kompaninë në fjalë për një tender të zhvilluar në vitin 2016.

Policia nuk jep detaje të tjera për çfarë tenderi bëhet fjalë.

Njoftimi i policisë:

“Strukturat e DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, kanë hartuar një plan masash në kuadër të të cilit janë zhvilluar kontrolle të befasishme në ambiente të ndryshme që mund të frekuentohen nga persona të shpallur në kërkim, me qëllim kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara janë kapur 3 shtetas të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2. kanë kapur shtetasit:

– A. F., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. 48-vjeçarja dyshohet se ka marrë shumën 131 mijë euro si rryshfet, për të favorizuar një kompani italiane, për një tender të zhvilluar në vitin 2016;”, thuhet në njoftimin e policisë.

You may also like