U shkatërrua nga zjarret, Biden viziton Hawain: Do rindërtojmë gjithçka!

by admin
Spread the love

Presidenti Joe Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden kanë vizituar nga afër zonat e shkatërruara prej zjarreve të fuqishme në Maui, ku janë takuar me të mbijetuar e kanë parë më sytë e tyre shkatërrimin e lënë pas në një pjesë të këtij ishulli të Havait.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë ndërpreu pushimet në Liqenin Taho për të vizituar Mauin, ku u prit nga Guvernatori i Havait, Josh Green, dhe përfaqësuesit e zgjedhur në Kongres nga Havai.

Presidenti pa rrënojat në komunitetet e shkatërruara në qytetin Lahaina, një qytet historik që pothuajse u shkatërrua plotësisht nga flakët ku premtoi ndihmë për banorët.

“Në orët që shpenzuam këtu pamë sesi njerëzit po e përballojnë me shumë guxim këtë situatë. Jill dhe unë jemi këtu të vajtojmë me ju, por duhet ta dini se i gjithë kombi është me ju. E them këtë nga zemra. Të gjithë jemi me ju. I pamë dëmet, dua që ta dini se sa kohë që të marrë, ne do ti rindërtojmë gjërat këtu. Qeveria federale do ta ndihmojë Mauin “për sa kohë që do të nevojitet”, u shpreh Biden.

Zjarri që filloi në shkurre u tjetërsua në një stuhi të zjarrtë masive si rezultat erërave të forta dhe thatësirës, duke shkrumbuar Lahainan e Mauit. Shefi i urgjencave të ishulli, Herman Andaya, dha dorëheqjen mes kritikave se sirenat e alarmit, që përdoren zakonisht për të paralajmëruar raste tsunami, nuk ranë për zjarret.

Ai e mbrojti vendimin, duke thënë se paralajmërimet për tsunami zakonisht i udhëzojnë banorët që të shkojnë brenda në ishull, e në këtë rast do t`i çonte ata drejt zjarreve. Më shumë se 114 persona kanë humbur jetën, një numër që pritet të rritet në ditët në vijim. Numri i të zhdukurve mbetet i paqartë, ndërkohë që Departamenti i Mbrojtjes ka dërguar përforcime në Havai.


Top Channel

You may also like