U futën në sëndukun ku mbanin lodrat dhe fjetën gjumë të përqafuar, vdesin dy binjakët 4-vjeçarë

by admin
Spread the love

Një motër dhe një vëlla binjak 4-vjeçarë kanë vdekur në mënyrë tragjike në Florida, pasi ranë në gjumë të përqafuar në një sënduk të madh prej druri, ku prindërit fusnin lodrat e tyre.

Vdekjen e fëmijëve nga mbytja e ka konfirmuar nëna e tyre me një postim në rrjetet sociale, ku shprehet e shqetësuar për ngjarjen absurde dhe përshkruan rrethanat në të cilat ka ndodhur tragjedia.

Sadie Myers ishte në punë të premten mbrëma kur burri i saj, Don Starr, i vuri në shtrat binjakët Aurora dhe Kellan dhe dy vëllezërit e tyre më të mëdhenj. Starr punonte gjatë ditës dhe Myers punonte natën në mënyrë që të mund të mbulonte shpenzimet e mëdha. Gjithmonë një nga dy prindërit gjendeshin në shtëpi për t’u kujdesur për katër fëmijët e tyre. Gjatë natës, binjakët 4-vjeçarë u zgjuan dhe vendosën të luanin me lodrat e tyre, gjë që e kishin bërë muajt e fundit. Siç shpjegon nëna e tyre në postimin e saj, disa mëngjese ajo i gjente binjakët duke fjetur në pjesë të ndryshme të çuditshme të shtëpisë, me kukullat e tyre të shpërndara rreth tyre.

“Të premten mbrëma, vendi i çuditshëm që ata zgjodhën për të rënë në gjumë ishte sënduku prej druri që ne përdorim për të ruajtur lodrat e tyre”, shkruan Myers.

Binjakët hoqën thuajse të gjitha kukullat nga sënduku, duke lënë vetëm disa në fund të ishin më të buta. Më pas ata u shtrinë dhe ranë në gjumë në krahët e njëri-tjetrit. “Në një moment gjatë gjumit njëri prej tyre ka lëvizur, ndoshta duke parë një ëndërr, për pasojë kapaku është mbyllur”, shton nëna.

Kur Myers u zgjua në mëngjes ka gjetur krevatet e fëmijëve bosh, ajo menjëherë u panikos. E gjithë familja filloi të kërkonte dy fëmijët, duke bërtitur emrat e tyre brenda shtëpisë. Më në fund, një nga vëllezërit e tyre më të mëdhenj hapi sëndukun dhe i gjeti brenda. Në fillim, djali mendoi se binjakët thjesht po flinin dhe thirri mamin i gëzuar. Por kur gruaja pa binjakët, e kuptoi që ato nuk po merrnin më frymë dhe ishte tepër vonë për t’i shpëtuar.

“Jo shumë do ta dinë dhimbjen e humbjes së dy fëmijëve në të njëjtën kohë dhe në një mënyrë kaq të pakuptimtë, por unë kam nevojë të besoj se universi zgjodhi t’i largohej ndoshta për t’i mbrojtur ata nga ndonjë tragjedi e ardhshme, ose ndoshta sepse shpirtrat ishin shumë të përsosur për këtë botë”, shkruan Sadie Myers në postimin e saj.