TURQI – Parlamenti voton për anëtarësimin e Suedisë në NATO

by admin
Spread the love

STAMBOLL, 23 janar /ATSH-DPA/ – Një votim për pranimin e Suedisë në NATO është caktuar nga parlamenti turk, pas shumë muajsh presioni nga aleatët e NATO-s dhe është në agjendën e organit legjislativ për sot.

”Koha e saktë e votimit mbetet e paqartë, me Suedinë në fund të një liste prej 42 pikash të rendit të ditës”, sipas faqes së internetit të parlamentit.

Nëse Turqia ratifikon pranimin, Hungaria do të jetë i vetmi anëtar i NATO-s që nuk ka miratuar ende ofertën e Suedisë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.

Çdo anëtar i NATO-s duhet të japë dritën jeshile që Suedia të mund të anëtarësohet.

Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë i parlamentit turk tashmë ka votuar në favor të anëtarësimit të Suedisë.

Kërcënimi i agresionit të mëtejshëm rus në dritën e luftës në Ukrainë i kishte shtyrë Suedinë dhe Finlandën të kërkonin të anëtarësoheshin në NATO.

Finlanda u bashkua në prill të vitit të kaluar, por oferta e Suedisë ka qenë më pak e drejtpërdrejtë.

Turqia e ka vonuar ratifikimin për më shumë se një vit për shkak të mbështetjes së supozuar të Stokholmit ndaj grupeve që Ankaraja i etiketon si “terroristë” – kryesisht duke iu referuar Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Në tetor, presidenti turk Recep Tajip Erdogan i kërkoi parlamentit të nisë procesin e votimit për Suedinë pasi Stokholmi forcoi legjislacionin e tij kundër terrorizmit.

Erdogan kohët e fundit e lidhi votën turke me miratimin në pritje të Kongresit Amerikan për shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Ankara./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like