TURQI – Fillojnë zgjedhjet lokale, gjithë vëmendja në Stamboll dhe Ankara

by admin
Spread the love

STAMBOLL, 31 mars /ATSH-AA-DPA/ – Filluan sot në Turqi zgjedhjet lokale, ku mbi 61 milionë qytetarë kanë të drejtë të votojnë në 81 provincat e vendit.

Votimi filloi në orën 07:00 dhe do të vazhdojë deri në orën 16:00 në 32 provincat lindore të vendit. Në provincat e mbetura, qendrat e votimit hapen në orën 08:00 dhe do të mbyllen në orën 17:00.

Rreth 1,32 milionë të rinj votojnë për herë të parë.

Në garë janë kandidatë nga 34 parti politike, ndërsa në mbarë vendin janë vendosur më shumë se 206 000 qendra votimi.

Votuesit që jetojnë në qytetet më të mëdha të vendit po votojnë për kryetarë bashkie metropolitane, kryetar bashkie, anëtarësi në këshillat bashkiakë si dhe për muhtarët dhe këshillat e pleqve.

Ato qytete janë Adana, Ankara, Antalya, Aydın, Balıkesir, Bursa, Denizli, Diyarbakır, Erzurum, Eskişehir, Gaziantep, Hatay, Istanbul, Izmir, Kahramanmaraş, Kayseri, Kocaeli, Konya, Malatya, Manisa, Mardin, Mersin, Muğla, Ordu, Sakarya, Samsun, Şanlıurfa, Tekirdağ, Trabzon dhe Van.

Partitë kryesore garuese janë Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), opozita kryesore Partia Popullore Republikane (CHP), Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Partia IYI dhe Partia Demokratike Popullore (DEM).

Vëmendja kryesore është në garën për të kontrolluar qendrën ekonomike të vendit, Stambollin dhe kryeqytetin Ankaranë.

Votimi vjen pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të vitit të kaluar, në të cilat presidenti aktual Recep Tajip Erdogan zgjati pushtetin e tij.

Sondazhi në qendrat industriale si Izmiri, Adana dhe Bursa, ndër të tjera, do të ndihmojë në matjen e disponimit politik të vendit si dhe popullaritetit të Erdoganit në mes të një krize të kostos së jetesës.

Stambolli do të shohë një nga përplasjet kryesore në zgjedhje.

Kandidati i Partisë laike Republikane Popullore (CHP) në Stamboll, kryebashkiaku aktual Ekrem Imamoglu, po kërkon të zgjidhet për një mandat tjetër.

Imamoglu mori kontrollin nga AKP në pushtet e Erdoganit në Stamboll në vitin 2019, duke i dhënë fund një sundimi 25-vjeçar nga konservatorët islamikë.

Një fitore e dytë Imamoglu do ta vendosë atë si rivalin kryesor të Erdoganit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, që do të mbahen në 2028.

Sondazhet tregojnë një garë të ngushtë midis Imamoglu dhe aleatit të Erdoganit Murat Kurum, ish-ministrit të Planifikimit Urban nga partia e Erdoganit AKP.

Stambolli, një metropol prej 16 milionë banorësh, ka një status të veçantë për Erdoganin, pasi ishte vendi ku presidenti filloi ngritjen e tij politike./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like