TURQI – Arrihet marrëveshja e parë Moskë-Kiev për zhbllokimin e eksporteve të grurit

by admin
Spread the love

ROMË, 22 korrik /ATSH-ANSA/ – Çmimi i grurit i rikthehet niveleve të para sulmit rus në Ukrainë, më 24 shkurt, në ditën e marrëveshjes mes Moskës dhe Kievit që synon zhbllokimin e eksporteve përmes porteve në Detin e Zi.

Marrëveshja e Stambollit duhet të jetë marrëveshja e parë reale për korridoret në Detin e Zi për eksportin e grurit nga portet ukrainase.

Dhe mbi të gjitha marrëveshja e parë mes Moskës dhe Kievit që nga fillimi i luftës.

Nuk është rastësi që i pranishëm do të jetë edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Lajmin e dha zyra e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, ndërmjetësi i madh i marrëveshjes, e cila do të nënshkruhet nga delegacionet ruse dhe ukrainase në pallatin luksoz ”Dolmabahçe”, në ngushticën e Bosforit.

Marrëveshja u la të nënkuptohej që në takimin e disa ditëve më parë në Teheran mes Erdoganit dhe presidentit rus Vladimir Putin, i cili foli për një progres në eksportin e grurit ukrainas, të cilin ai e kishte cilësuar një shenjë e mirë.

Megjithatë, vetë Putini kishte theksuar se çdo marrëveshje duhet të përfshinte edhe eksportet e bllokuara të grurit rus.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu nga ana e tij deklaroi se, kur ky problem të zgjidhej, do të hapej jo vetëm rruga e eksportit të grurit dhe vajit të lulediellit nga Ukraina, por edhe e produkteve nga Rusia.

Ministri rus i Mbrojtjes Shoigu mbërriti në Stamboll për të nënshkruar marrëveshjen e grurit të arritur midis Rusisë, Ukrainës dhe OKB-së me ndërmjetësimin e Turqisë.

Së bashku me Shoigu është homologu i tij turk Hulusi Akar dhe ministri ukrainas i Infrastrukturës Aleksandër Kubrakov, sipas televizionit turk, TRT./   /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like