Trupat amerikane, të gatshme për të parandaluar dhunën në veri të Kosovës – Shqip

by admin
Spread the love

Trupat paqeruajtëse amerikane në Kosovë janë të pajisura mirë dhe janë të gatshme për të parandaluar dhunën në veri, shpesh skenë e përleshjeve të armatosura në të cilat së fundmi u vra një polic, tha një komandant për Reuters.

NATO ka përforcuar praninë e saj me 1,000 trupa të tjera pas dhunës shtatorin e kaluar, gjatë së cilës polici u vra në një shkëmbim zjarri midis policisë së Kosovës dhe personave të armatosur që hynë nga Serbia.

Më shumë se 570 ushtarë amerikanë shërbejnë nën misionin e udhëhequr nga NATO, i cili në total ka rreth 4,500 trupa të dislokuara.

“Ne jemi të përgatitur mirë, të trajnuar mirë dhe të pajisur për të reaguar ndaj çdo gjëje që mund të ndodhë këtu tani”, i tha Reuters-it në një intervistë kolonel Ross Walker, komandant i ushtarëve amerikanë nga Garda Kombëtare e Ushtrisë së Teksasit.

“Edhe pse jemi të gatshëm të reagojmë ndaj çdo gjëje, dëshira jonë është që gjithmonë t’i bëjmë gjërat fillimisht përmes një dialogu paqësor”.

Disa nga ushtarët amerikanë janë të vendosur në kampin Nothing Hill afër qytetit verior të Leposaviqit dhe rrugëve të patrullimit që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Ata i parkojnë kamionët e tyre të bardhë të paarmatosur afër kufirit me Serbinë dhe më pas ecin pranë hekurave metalike që deri vonë mbanin tabela që sinjalizonin vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ata patrullojnë në këmbë dhe mbajnë vetëm pistoleta, shenjë se gjërat kanë qenë të qeta kohët e fundit.

Megjithatë, në dhjetor, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se njerëz të armatosur të mbështetur nga agjencitë serbe të sigurisë po trajnoheshin për të kryer më shumë sulme në vendin e tij, gjë që Serbia e mohoi.

Diplomatët perëndimorë dhe disa analistë paralajmërojnë se tensionet më të fundit rreth vendimit të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb mund të nxisin më tej tensionin në veri, ku rreth 50,000 serbë refuzojnë të njohin qeverinë e Prishtinës dhe e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre. /Klankosova.tv

You may also like