Trimi shqiptar, Sylë Tetova

by admin
Spread the love

Nga Metin Izeti

Poeti nga Qiproja Ashik Kenziu gjatë vizitës së tij që ia kishte bërë Tetovës në fillim të shekullit të XIX është frymëzuar nga shumë ngjarje të veçanta të popullsisë shqiptare dhe ambientit në qytetin e Tetovës, që asokohe udhëhiqej nga Abdurrahman Pashai. Ndër poezitë e tij të shkruara për Tetovën dhe shqiptarët e kësaj ane është edhe një poemë që ia kushton njërin nga eprorët ushtarak të Abdurrahman Pashës i cili quhej Sylejman, por siç thotë edhe autori, shqiptarët atë e thirnin Sylë dhe me këtë emër ishte i njohur në shumë vende përreth. (fotoja lartë është ilustrim)

Një trim e takova brenda në Tetovë

Ishte pehlivan e guximtarë i rrallë

Ishte këngëtar, por edhe trim pa frikë

Trimëria i dëgjohej anembanë

Abdurrahman Pasha i do trimat pa masë

Guximin ia vërejti e nxorri në ballë

Në përleshjet e Prizrenit u tregua i shkathtë

Që atëherë e njohën për trim të rrallë

Për shkak se kjo periudhë e sundimit të shtetit Osman është përplot me mosmarrëveshje dhe kryengritje, veçanërisht në trojet që janë udhëhequr nga pashallarë shqiptarë, gjithsesi se ka patur edhe përleshje ndërmjet mbështetësve të reformave të bëra nga Sultan Mahmudi i II dhe atyre që nuk pajtoheshin me këto reforma. Veçanërisht shpërbërja e rendit ushtarak të jeniçerëve që përbëheshin kryesisht nga shqiptarët ka ndikuar në rebelimin e një numri të madh të ushtarakëve të vjetër kundër reformave të Sultan Mahmudit të II. Si rrjedhojë, në këto kohra me trazira, gjithsesi se është nevojitur ruajtja e rendit dhe qetësisë në qytetet shqiptare dhe komandanti ushtarak i Abdurrahman Pashait, Syla, ka qenë një ndër personat kyç në vendosjen e rendit në sanxhakun e Prizrenit, ku bënin pjesë edhe Tetova dhe Gostivari.

Ashik Kenziu, gjithashtu, e thekson se Syla ka marrë pjesë edhe në shumë luftra bashkë me Pashain dhe nga të gjitha është kthyer si fitimtar.

Shumë vende ai ka çliruar

Me nëntëdhjetë armiq përnjëherë ka luftuar

Gjaku rrëke i rridhte, shumë është plagosur

Në rrugë të Pashait, Syla, është gjakosur

Nuk u zbraps edhe kur është plagosur

Zjarri nuk iu shua armikun pa e sosur

Të gjithë guximin ia kanë lavdëruar

Gishtat i kafshuan njerëzit, Sylën duke uruar.

Ushtar i Abdurrahman Pashait, ai shpirt ishte

Nuk kishte të barabartë me të në peshore

Sylejman ishte emri i tij në tyrçe

Namin, Sylë, e kishte ky trim në arnautçe.

Në vazhdim të poemës, Ashik Kenziu, flet për virtytet e Sylës, por njëkohësisht edhe të ushtarëve dhe trimave shqiptarë në periudhën osmane. Ai e thekson se prej shqiptarëve dalin shumë trima të cilët njëkohësisht janë edhe të sinqertë dhe besnikë.

Nga shqiptarët dalin trima me famë

Nuk ju dhimbset jeta, janë guximtarë

Por, si Syla, del një në njëmijë

Statujë e guximit është Syla në këtë anë.

Besnik është, nga ta thirrësh vjen menjëherë

I drejtë është, mos mendo se del tradhtarë

Në rrugë të zotnisë shpirtin flijon, hë, pa thënë

Një trim i till është Syla i mbarë.

Sipas rrëfimit të Ashik Kenziut, Syla ka marrë pjesë edhe në betejat e Abdurrahman Pashait në viset tjera të shtetit Osman. Duke folur për trimërinë e Sylës, Ashik Kenziu e përmend se ai ka marrë pjesë edhe në luftë kundër rusëve dhe aty ka treguar trimëri të rrallë.

Në luftë vajti, pasi zotnia e urdhëroi

Trim të shohin, kaurët e Moskës, përpara u doli

Ishte komandant i mija ushtarëve, beteja udhëhoqi

Zotni me famë është Sylë shqiptari.

Ishte traditë e hershme në trojet shqiptare të këndohet këngë për trimat, si rrjedhojë, rrëfen Ashik Kenziu, edhe për Sylën janë kënduar këngë trimërie dhe heroike në këto anë.

Trimëria e tij të le pa fjalë

Në shqip i është kënduar këngë

Le të jetë një kujtim nga Kenziu kjo poemëQë të mbahet në mend emri Sylë

You may also like