Trepça mposht Yllin dhe kalon në finale të “Final 8”

by admin
Spread the love

Trepça është finalistja e parë e turneut “Final 8” të Kupës së Kosovës në basketboll që po mbahet në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.

Të enjten, Trepça e mposhti Golden Eagle Yllin në ndeshjen gjysmëfinale. Trepça e fitoi gjysmëfinalen e parë me rezultatin 72:59 për t’u konfirmuar në finale të këtij turneu.

Trepça e dominoi Yllin prej fillimit të ndeshjes, pasi çerekun e parë e fitoi me rezultatin 22:10. Ylli ishte më i mirë në periudhën e dytë (21:15), por Trepça ishte e fortë edhe në çerekun e tretë, të cilin e fitoi me shifrat 57:42.

Epërsia e krijuar prej 15 pikëve gjatë tre çerekëve të parë, i mjaftoi Trepçës për ta mposhtur dhe eliminuar Yllin nga Kupa e Kosovës.

Më i dalluari te Trepça në këtë takim ishte Drilon Hajrizi me 14 pikë, 8 kërcime dhe 4 asistime, ndërsa te Ylli u veçua Alonzo Verge me 18 pikë të realizuara.

Para Yllit, skuadra e Trepçës ka mposhtur edhe Istogun, të cilin e eliminoi në çerekfinale të kësaj gare. Trepça është fituese në fuqi e Kupës së Kosovës.

Në fakt, ekipi nga Mitrovica e ka fituar Kupën e Kosovës në dy edicionet e fundit, ndërsa në finale të këtij edicioni, do të përballet me fituesin e gjysmëfinales së dytë ndërmjet Bashkimit dhe Sigal Prishtinës. Kjo ndeshje nis në orën 20:00.

You may also like