Trazirat në Francë/ Demonstruesit zbrazin dyqanin e armëve në Marseille (video-foto)

by admin
Spread the love

Mediat franceze thonin sot se disa pushkë e armë automatike janë vjedhur mbrëmë nga një dyqan armësh, në ditën e katërt radhazi të trazirave të rënda në të gjithë vendin, pas vrasjes nga policia të një 17 vjeçari në periferi të Parisit.

Qyteti i Marseille pa mbrëmë një nga netët më të dhunshme të historisë së tij teksa dyqani i armëve u zbraz nga protestuesit në zonën e Qyteti të Vjetër.

Në Paris qeveria thotë se ka dislokuar 45,000 oficerë policie, autoblinda dhe helikopterë për të shuar trazirat për vrasjen e adoleshentit, por aktualisht zemërimi është vetëm në rritje.

Një seri armësh gjuetie ishin marrë nga dyqani në rrugën Rue d’Aubagne në Marseille deri sa policia ndërhyri dhe vendosi roje për të ndaluar zbrazjen, raportonte rrjeti vendas BFM TV.

Një person raportohet se ishte arrestuar me një pushkë ‘shotgun’ të vjedhur aty, ndërsa raportohej se sulmuesit nuk kishin arritur të merrnin municione për armët e tyre.

Të paktën 100 persona u arrestuan dje nga autoritetet në Marseille, ku ashtu si në qytete të tjera të rinj të maskuar thyen dyqanet në qendër të qytetit dhe dogjën makina të parkuara.

Trazirat bënë që të anulohej dhe një paradë Marseille LGBTQ që duhet të mbahej sot aty.

Kryebashkiaku Benoit Payan tha se i ka kërkuar qeverisë të dërgojë forca policie shtesë për të përballuar dhunën e protestuesve.

Video që qarkullonin mbrëmë online tregonin sulme ndaj stacioneve të policisë në qytetet e Ales, Lyon e Bonneuil, por që nuk janë konfirmuar nga autoritetet franceze.

Trazirat e ashpra kanë nisur të martën në zonën Nanterre në jug të Parisit pasi një patrullë policie vrau 17 vjeçarin Nahel M. gjatë një ndalimi në trafik.

Nëna e Nahel bëri thirrje “protesta dhe hakmarrje” të cilat vijojnë ende në qytetet e Francës.

Presidenti Emmanuel Macron anuloi dje vizitën në Bruksel për të mbajtur një takim urgjent të qeverisë ndërsa kryeministrja ka thënë se “dhuna nuk do të tolerohet”.