Trajneri i Zvicrës paralajmëron shqiptarët: Duhet të kontrollojnë emocionet e tyre ndaj Kosovës

by admin
Spread the love

Miqësorja Zvicër – Kosovë do të zhvillohet nesër në stadiumin “Letzigrund” në Cyrih, me fillim nga ora 18:00, shkruan Insporti.

Në konferencën për shtyp te “Helvetikët” sot është paraqitur selektori Murat Yakin, i cili tha se tre futbollistët që kanë prejardhje nga Kosova, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Andi Zeqiri duhet të kontrollojnë emocionet e tyre nesër.

“Graniti, Xherdani apo edhe Zeqiri duhet të kontrollojnë emocionet e tyre. Do të jetë e veçantë para ndeshjes, por sapo gjyqtari të vërshëllej për fillimin e ndeshjes, ata duhet të fshehin emocionet. Ata janë të gjithë profesionistë dhe kjo është arsyeja pse unë e kërkoj këtë nga lojtarët”.

Teksa, sot, Shaqiri theksoi se fitorja është qëllimi i tij dhe bashkëlojtarëve.

“Siç thashë, sigurisht që do të jetë pak më emocionuese. Por është një lojë miqësore dhe Kosova gjithashtu ka shumë lojtarë që janë rritur në Zvicër. Jam i sigurt se do të jetë një lojë e madhe dhe historike që ne duam ta fitojmë padyshim. Unë përgatitem normalisht. Unë kam luajtur tashmë lojëra që ishin shumë më të rëndësishme. Duam të tregojmë një reagim ndaj humbjes ndaj Anglisë. Qëllimi është i qartë: të fitojmë çdo ndeshje. Do të përqendrohem plotësisht në punën time në fushë”, shtoi 30-vjeçari.

You may also like