Trajneri i Skënderbeut, Gvozdenoviç: Do luajmë për të fituar kundër Laçit dhe Vllaznisë, luftojmë për pikët

by admin
Spread the love

Trajneri i Skënderbeut Ivan Gvozdenoviç tha se skuadra do të bëjë maksimumin për të fituar kundër Laçit dhe Vllaznisë, pasi i nevojiten pikët.

Gvozdenoviç: “Kur kemi një derbi dhe mbaron ndeshja me fitore, patjetër të gjithë jemi të lumtur. Atmosfera ishte mirë, situata po ashtu, sot do bëjmë stërvitje, nesër kemi stërvitjen e fundit dhe do përgatitemi mirë për ndeshjen me Laçin. Kemi vetëm një mungesë, është Shaqe me 4 kartona.

Është shpejt për të përcaktuar kush e zëvendëson, por edhe e thjeshtë sepse kemi 2 lojtarë në pozicionin e tij. Sot dhe nesër do vendosë stafi kush është gati për ndeshjen e radhës nga ata të dy.

Jemi skuadër “e re”, skuadra fiton me Partizanin e humbet me Kukësin, kjo është puna jonë si staf, si ta rregullojmë në vazhdimësi. Çdo ekip mund të humbë e të fitojë në kampionatin shqiptar, nuk është diferencë e madhe.

Ne jemi Skënderbeu, gjithmonë e kemi atë merak dhe detyrim për të luftuar fort për pikë e për të bërë maksimumin. Një skuadër me djem të rinj, që vrapojnë shumë, me dëshira dhe për mua është një ndeshje e vështirë por do jemi gati.

Tregojmë karakterin e cilësitë edhe kur jemi jashtë, me Egnatian jemi fitues, me Erzenin po ashtu, do bëjmë maksimumin edhe kundër Laçit.

Unë e pashë në ndeshje me Tiranën dhe bravo për Laçin, por prapë kjo është tjetër gjë sepse përballë ishte Tirana dhe ishte jashtë, tani Laçi ka kundërshtar Skënderbeun brenda shtëpisë, dhe është ndeshje delikate. S’mund të them që fituan me Tiranën dhe do fitojë edhe me Skënderbeun. Është ndeshje e fortë edhe për ata edhe për ne por ne do luftojmë për pikët.

Është vështirë të them sa pikë dua unë, skuadra ose klubi, ne do ecim javë pas jave. Nëse do marrim këto pikët është plus për ne, por s’mund të them sa pikë do mbledhim sepse futbolli ska garanci. Di vetëm që do luajmë për të fituar kundër Laçit por edhe kundër Vllaznisë.”


Top Channel

You may also like