Topalli dhe Nishani: Skenat me blindimin e dyerve të selisë janë të turpshme, Basha edhe 3 ditë është në zyrë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha kanë vijuar sulmet ndaj kreut demokrat Lulzim Basha. Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli me anë të një postimi u shpreh se është e turpshme nga ana e kreut demokrat Lulzim Basha, që të mbajë peng PD-në me brava dhe shula. Ajo tha se akte të tilla mund ta marrin vetëm persona që kanë probleme mendore. Sipas saj, Bashës  i kanë ngelur edhe 3 ditë duke iu referuar protestës së 8 janarit ku ish-kryeministri dhe njerëzit pranë tij kanë paralajmëruar ikjen e Bashës nga selia.

“Blindimi i dyerve, dritareve dhe moslejimi i deputetëve për të hyrë në shtëpinë e tyre është gjëja më e pa imagjinueshme që ndodhi po sot. Në asnjë vend të botës nuk ndodh që karrigia e kryetarit të ruhet me brava, shula apo fortifikim. Çdo shqiptar turpërohet kur sheh skena si këto të Lulzimit. Njeriu që i thotë vetes se kam formim perëndimor mendon se vota zëvendësohet me bravë. Në fakt nuk është për të qeshur edhe pse është komike. Këtë akt të pa dëgjuar sot në botë, as në historinë e njerëzimit mund ta ndërmarrin vetëm të sëmurë mendor; njerëz të marrë peng; njerëz që mbrojnë pasuri mbi 150 milion euro; njerëz gjobëvënës apo njerëz që i kanë të gjitha këto bashkë. Ky është Luli, edhe për 3 ditë”, tha Topalli.

Po ashtu edhe ish-kreu i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani u shpreh se protesta e 8 janarit do të sjellë PD-në në themelet e saj të lirisë. Nishani tha se demokratët as nuk shiten dhe as nuk blihen. Sipas tij, së shpejti demokratët do të marrin përsipër drejtimin e fateve të vendit.

“Kjo është në betejë që kurrë nuk mbaron, por ne nuk dorëzohemi dhe sot më shumë se kurrë kërkohet ky angazhim. Të shtunën me 8 janar, në selinë e PD-së do të nisim një protestë të madhe kombëtare, e cila ka të bëjë me vendosjen e parimeve dhe themeleve të lirisë. Një protestë që do të tregojë se demokratët as nuk shiten dhe as nuk blihen dhe as nuk tregtojnë shtëpinë e tyre. Të mblidhemi në selinë e PD-së në Tiranë më 8 janar për të demonstruar edhe një herë vizionin tonë se vlerat e lirisë dhe dinjitetit të secilit nuk mund të shkojnë dëm. Të përgatitemi për të marrë përsipër drejtimin e fateve të vendit”, tha Nishani.

You may also like