Tjetër hap fals i Milanit, Udinese rrëmben një pikë të çmuar në “San Siro”

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Pas barazimit në Salerno, Milani bën një tjetër hap fals në kampionat, pasi nuk arrin të marrë më shumë se një pikë përballë Udineses në “San Siro”.

Kuqezinjtë kalojnë të parët në avantazh me Leao, por nuk arrijnë të administrojnë rezultatin dhe barazohen në pjesën e dytë nga miqtë, që edhe mund të kishin fituar të gjithë sfidën.

Djemtë e Piolit humbin një mundësi të artë për të konsoliduar pozitat e tyre në krye të Serie A dhe tashmë rrezikojnë që ta dorëzojnë kreun tek skuadrat rivale. Udinese merr një pikë me shumë vlera, që i largon nga zona e ftohtë që të zbret në Serie B.

Java e 27-të e Serie A në Oversport hapet me sfidën e “San Siros”, aty ku kryesuesit e Milanit do të ndeshen me Udinesen. Ndeshja nis me 5 minuta me vonesë, pasi Serie A dënon luftën në Ukrainë. Në ekranin e madh të stadiumit shkruhet fjala “Paqe”.

Milani nis ndeshjen shumë mirë dhe mundohet që të surprizojë Udinesen që në minutat e para të takimit. Miqtë reagojnë me Beto dhe Deulofeu, por Maignan tregohet në lartësinë e duhur.

Kuqezinjtë zhbllokojnë ndeshjen me Leaon, që shfrytëzon më së miri një pasim të Tonalit dhe çon topin në rrjetë, duke shënuar golin e tetë në këtë sezon.

Udinese reagon sërish me Beto, por gjuajtja e tij me kokë bllokohet nga Maignan. Edhe Deulofeu i afrohet golit të barzimit, por portieri i Milanit është i pakalueshëm. Mbyllet 1-0 pjesa e parë në “San Siro”.

Milani nuk arrin që të dominojë dhe Udinese shfaqet më kërkuese në pjesën e dytë. Miqtë barazojnë rezultatin me Udogie, që shtyn topin në rrjetë pas një aksioni në zonë. Goli kontrollohet në VAR dhe vlerësohet si i rregullt.

Kuqezinjtë hidhen në sulm në kërkim të golit të avantazhit, por rastin më të rrezikshëm e ka Udinese me Pereyra, që nuk arrin të mposhtë Maignan. Leao i afrohet golit të dytë, por Mari shpëton topin në vijën e portës.

Gjyqtari jep 5 minuta shtesë, por pavarësisht përpjekjeve të Milanit, rezultati i kësaj sfide nuk ndryshon.

Itali-Serie A / Java e 27-të

Milan-Udinese 1-1

Leao 29’ / Udogie 66’

You may also like